GREVIO vlerëson zbatimin e Konventës së Stambollit në Kosovë

13:14 | 8 Qershor 2021

Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala, është pritur në takim koordinues nga drejtuesi dhe zyrtarë të Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë. Në këtë takim u diskutua dhe dakordua për procesin e monitorimit nga grupi i ekspertëve për masat kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje (GREVIO) lidhur me zbatimin e Konventës së Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës kundër grave dhe dhunës në familje – Konventës së Stambollit.

Procesi i monitorimit nga GREVIO konsiston në vlerësim të zbatimit të Konventës së Stambollit nga ana e institucioneve tona vendore, si shtet nënshkrues i Konventës. Procesi konsiston në dërgimin e një pyetësori nga ekspertët GREVIO, plotësimin e tij nga ana e përfaqësuesve vendorë, zhvillimin e misioneve të raportimit në terren, deri në publikim të raportit. Ky raportim bëhet për herë të parë në Kosovë dhe do t’i shërbejë përfaqësuesve institucional vendorë që të identifikojnë sfidat në zbatim të parashikimeve të Konventës.

Zëvendësministrja, Dr. Shala, edhe në cilësinë e Koordinatorit Nacional Kundër Dhunës në Familje, konfirmoi mbështetjen dhe bashkëpunimin drejt finalizimit të këtij raportimi./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara