Gjykimi ndaj gjykatësit dhe policit, dëshmitari thotë se i janë kërkuar shuma deri në 200 mijë euro nga gjyqtarë e prokurorë për t’ia mbyllur një rast, e se tani po kërcënohet me jetë

17:22 | 2 Tetor 2020
Arbresh.info

Në gjykimin që po zhvillohet ndaj gjykatësit të suspenduar të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj, Rafet Ismaili dhe zyrtarit policor Blerim Gashi, dëshmitari Florim Zekaj ka deklaruar se atij i janë kërkuar para në shumë prej 30 mijë deri në 200 mijë euro, nga gjyqtarë e prokurorë, për t’ia mbyllur një lëndë penale ku ai ishte i dënuar me katër vite e 10 muaj burgim për mashtrim.

“Gjyqtarë e prokurorë më kanë lyp shuma deri në 200 mijë euro, prej 30 mijë deri në 200 mijë euro, unë prej stresit jam shku dhe jam konsultu me avokatin tim, më ka thon mo se janë sene të këqija, po unë prej stresit jam shku kom lyp ndihmë te kundër korrupsioni, te Shaip Havolli. Ai nuk u ka besu fjalëve të mia, që po mi lypin ato shuma, tha a mundesh me i thirr ti e lëshoje telefonin në interfon, ta dëgjoj edhe unë, pastaj u bind edhe ai dhe  më ka drejtu te krimet ekonomike” tha dëshmitari Zekaj.

Në seancën e së premtes, dëshmitari Zekaj ka përmendur emrin e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Xhevdet Abazi, si personi i cili i kishte kërkuar atij të holla për t’ia kryer lëndën ku ai ishte gjykatës i rastit, pas kthimit të asaj çështje në rivendosje nga Gjykata Supreme në atë të Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Prej gjyqtarit që ja di emrin u kon Xhevdet Abazi, atëherë kur e kom pas lëndën në Apel, atëherë mi ka kërku paret, ndërkohë që lëndën e ka pas vet në Apel. Xhevdet Abazin e kom njoft edhe shumë ma herët, para se policia me më thon. Prej rastit kur Supremja e ka kthy rastin në Apel, unë e kom njoft, para se me shku unë në polici, por herën e parë kur u vendos lënda në Apel se kom njoft”, tha dëshmitari Zekaj.

Sipas tij, policia e kishte këshilluar atë që të bisedonte me gjyqtarin Xhevdet Abazi, të dakordoheshin për shumën dhe vendin e takimit dhe se këto të holla do t’i siguroheshin atij nga policia.

“Policia më kanë thon prano me ja dhanë shumën, ma së pari me Xhevdet Abazin, ne t’i japim mjetet, e ti ja dërgon Xhevdet Abazit në zyre”, shtoi dëshmitari.

Dëshmitari Zekaj sqaroi se kishte caktuar takim me gjyqtarin Xhevdet Abazi në zyrën e tij në Gjykatën e Apelit, për dorëzimin e këtyre të hollave, por që ky takim nuk u mbajt siç ishin dakorduar përmes telefonit.

“Policia më kanë thirr pas 1 jave më kanë thon i kemi përgatit mjetet dhe mi kanë dhanë mjetet. E kemi lan terminin me gjyqtarin Xhevdet Abazi që të takohemi në zyrën e tij në gjykatë me ja dhanëmjetet. Jam ardh me mjete dhe me përgjime, këtu në gjykatë, roja e ka thirr jo unë, që pe lyp Florim Zekaj, i ka thonë që është nxon e ka një mbledhje për mu avancu diçka ma i nalt, përmes sigurimit i ka thon që me shku ka ora 1. Jemi shku në ora 1 sipas direktivave të tina, na ka bo terminin për nesërmen në ora 1, se ish kon tu mbajt gjykim atë ditë. Të nesërmen kemi vepru njëjtë, nëpërmes rojës, edhe Visari-polici  hetues u kon aty me mu, kur kemi shku tjetër herë nuk na ka pranu hiq, sigurisht e ka njoftu dikush mos i merr paret se janë pare të policisë, prej atëhershmit kurrë mo se kom pa”, deklaroi dëshmitari.Dëshmitari pranoi se me gjyqtarin Abazi ishin takuar edhe tek restorant “Halimi”, ku atij i ishte kërkuar shuma prej 30 mijë euro, nga një person tjetër që e shoqëronte gjyqtarin, për t’u mbyllur rasti ndaj tij.“Ai u kon vet i dyti, unë jam kon me ni shok që ka dal me ni tavolinë tjetër që nuk ka dasht me ni atë bisedë. Jam kon vet i treti, Ndërkohë ka ardh edhe Blerimi, se kom lan mu ul në at tavolinë, se e kom dit që është polic, gjyqtari u kon vet i dyti, nuk e di ai tjetri a u kon gjyqtar a jo, po ma shumë ka bisedu ai se gjyqtari, ka thonë që mi dhon 30 mijë euro, mi shtoj 5 mijë euro për mu kry puna. Ky tjetri ka qenë një moshë 50 vjeçare, sipas meje mu ka duk që është gjyqtar”, tha dëshmitari Zekaj.

Në listën e personave që dëshmitari Zekaj pretendonte se i kishin kërkuar të holla për mbylljen e rastit të hapur ndaj tij, ai përmendi edhe emrin e prokurorit special Haki Gecaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Zekaj tha se prokurori Gecaj i kishte kërkuar atij shumën prej 50 mijë euro, nëpërmjet një personi tjetër të quajtur Bekim Maliqi, për mos ngritjen e aktakuzës ndaj tij për mashtrim.

“I pari u kon Haki Gecaj që mi ka lyp 50 mijë euro për mos me mu ngrit aktakuza, jo mu direkt po përmes Bekim Maliqit, që është dëshmitar në landën tem, sikur unë që jam dëshmitar. Unë i kom bo mjetet, u kon aktakuza hala pa ngrit, unë jom kon i liruar nga paraburgimi, pasi pata mbajt 1 vit”, theksoi dëshmitari.

Pasi kishte bërë gati shumën prej 50 mijë euro, dëshmitari Zekaj tha se kishte shkuar së bashku me Bekim Maliqin tek shtëpia e prokurorit Haki Gecaj, por që sipas dëshmitarit, prokurori Gecaj nuk i kishte marrë ato para, por kishte kërkuar nga ta që largoheshin nga aty.

“Jam taku me Bekim Maliqin, i kemi shku tek banesa në lagjen “Mat”, ku i shkrujke në derë Haki Gecaj. I ka ra ziles Bekimi, ka dal prokurori, mu nuk më kanë lon mrena. Bekimi ka hy mrena, ja 10 minuta kom prit, ka tentu me mi marr Bekimi paret gjoja për prokurorin, unë nuk ja dhash se si besojsha pa ja dhon prokurorit direkt. Prokurori na ka ndjek, na ka thon mos hajdi ktu, kush ju ka thon me ardh, ka debatu shumë me Bekim Maliqin, unë ja kom tregu mjetet që i kom me i pa prokurori, ngase isha i interesuar me mbyll çështjen time. Prokurori na tha mos t’ju shoh mo ktu, e pastaj kam pas disa herë ftesa në Prokurorinë Speciale dhe më është ngritur aktakuza, me ja pas dhon mjetet, nuk do më ishte ngritur aktakuza” tha dëshmitari.

Në pyetjen e prokurorit Dren Paca, dëshmitari u përgjigj se ishte takuar disa herë edhe me tani të akuzuarin, gjyqtarin e suspenduar Rafet Ismaili, i cili kishte kërkuar nga ai që të mos jepte para për ta mbyllur rastin që ai kishte në gjykatë, me pretendimet se ata do t’i ndihmonin pa pagesë atij që lënda të kthehej në rishqyrtim në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.

“Gjyqtari Rafet Ismajli më thojke mos u ngut me i dhanë ato pare, e kom studiu lëndën, e kom pa që ka shkelje esenciale çka unë se di çka janë ato dhe kemi me të ndihmu pa pare, e kryejmë këtë çështje pa pare. Po, si më kujtohet mu u kon hera e dytë që e kom taku dhe që jam kom mësu emrin dhe ja kom marr numrin Rafet Ismajlit, kanë ardh te unë prapë me të njëjtat pretendime, mos i jep ato pare, ta gjejmë një avokat të fortë, kemi shku kemi hangër drekë, kemi bisedu rreth çështjes time, pa i dhanë ato mjete, me më ndihmu me rikthy rastin në rishqyrtim prapë në Mitrovicë. Unë jam pajtu plotësisht se u kon shumë tepër e madhe 200 mijë euro që mos mi dhanë, me kqyr alternativa tjera me gjet”, shtoi ai.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit, dëshmitari Zekaj pranoi se të akuzuarit Ismaili dhe Gashi i kishin premtuar atij ndihmë, por jo në këmbim të mjeteve financiare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Më kanë premtu dytë që do të më ndihmojnë, por jo në këmbim me mjete, jo për shkak të parave. Gjyqtari Rafet Ismajli më ka premtu se edhe përmes gjyqtarëve në Mitrovicë, po edhe gjyqtarëve tjerë, jo me pare, disa herë më ka thonë mos jep pare se janë shumë pare, se ti deri tash u dashtë edhe me kry edhe burgun edhe me u kry edhe lënda jote, po ti i ke mësu vet edhe po të lypin, edhe nuk ishe dënu hiq, se kjo vepër u kry në Serbi, ti je shtetas i Kosovës, këto janë fjalë që i ka thanë vet gjyqtari, se unë si kisha dit”, tha dëshmitari.

Dëshmitari Zekaj pranoi se i kishte dhënë 1,500 euro tani të akuzuarit Rafet Ismaili, në formë të huasë, me qëllim që gjyqtari Ismaili të shlyente një kredi.

“Blerimit i kom dhanë disa herë si hua deri sa ti del pensioni, gjyqtarit i kom ofru shuma të ndryshme si ka marr, një ditë mi ka kërku vet 1,500 euro për me shly një kredi, me afat deri në vit të ri se mi kthen, por jo për diçka tjetër, kjo është krejt në përgjime. Ato e di që ja kom dhanë 1,500 euro me kërkesën e tij, hua”, theksoi dëshmitari.

Dëshmitari Zekaj ka përmendur edhe emrin e kryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Nikolla Kabashiq, si person të cilin tani i akuzuari Ismaili kishte premtuar se do t’i ndihmonte atij në rastin penal.

“Rafeti më premtojke që ka me më taku me gjyqtar që ma kryejnë punën, emri nuk më kujtohet. Njoni prej personave që më ka premtu Rafeti se do të ndihmoj është Kabashiqi, kryetari i Gjykatës në Mitrovicë, njoni është gjykatës i Apelit apo i Supremes”, shtoi dëshmitari.

Tutje, dëshmitari pranoi se me urdhëresë të nxjerrë nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, konkretisht nga kryetari Kabashiq dhe pas ndikimit të tani të akuzuarit Ismajli, atij i ishte shtyrë ekzekutimi i dënimit me burgim, pasi fillimisht ishte dërguar në vuajtje të dënimit në burgun e Dubravës.

Po ashtu, dëshmitari Zekaj tha se për mbylljen e rastit të tij i ishin kërkuar 200 mijë euro nga një avokat me mbiemrin Klinaku dhe një person tjetër, por që dëshmitarit nuk i kujtohej nëse i ishte prezantuar atij si prokurore speciale ose prokurore nga EULEX-i

.“Nëpërmjet një avokatit Klinaku, nuk e di a u kon prokuror a jo, thojke një gru që është prokurore speciale që ka qenë me Klinakun, ose e EULEX-it, mi kan kërku 200 mijë euro,  ka thënë dëshmitari.

Në pyetjen e prokurorit Dren Paca, se pse ndodhej në vuajtje të dënimit, dëshmitari Zekaj u përgjigj se ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë me 4 vite e 10 muaj burgim, për një vepër penale të mashtrimit të kryer në shtetin e Serbisë.

“Unë në burg jam për një vepër që është e kryne në vitin 2007. Jam kon i arrestuar në vitin 2013, kam mbajt paraburgim një vit, mënoj që jam i pafajshëm edhe pse jam në vuajtje të dënimit. Se mu gjithmonë mu kan lyp paret, për që s’kom dhanë pare. Vendimi është i Mitrovicës, mashtrim, për një vepër penale të kryer në Serbi, e vuaj dënimin në Kosovë, për të njëjtën vepër penale jam shpall i pafajshëm, ndërsa në Kosovë për të njëjtën vepër penale jam dënu me 4 vjet e 10 muaj, nga gjykata e Mitrovicës dhe për at dënim jam në vuajtje të dënimit”, shtoi dëshmitari.

Tutje, dëshmitari tha se vendimi për shpalljen e tij fajtor ishte vërtetuar fillimisht edhe nga gjykata e shkallës së dytë, por që pas dërgimit të lëndës në Gjykatë Supreme, ai u kishte dhënë para personave të caktuar brenda kësaj gjykate, për kthimin e lëndës në rishqyrtim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Gjykata e Apelit e ka vërtetu dënimin e njëjtë si gjykata e shkallës së parë. Po, kam parashtru prapë përmes avokatit tim mbrojtje të ligjshmërisë në Supreme a cila vjen me radhë, ku e kom bo atë ankesë, kam has në persona që më kanë lyp mjete për me mu kthy lënda në rishqyrtim në gjykatë, i kom dhanë ato mjete, lënda mu ka kthy përsëri në rishqyrtim në Apel. Përsëri në Apel mu ka lyp një shumë e madhe e parave, por unë në at kohë kisha qen në masën e përgjimit në krime ekonomike”, deklaroi dëshmitari.

Gjatë dhënies së dëshmisë së tij, dëshmitari Zekaj deklaroi para gjykatës se kishte pranuar kërcënime, por ai nuk pranoi që të përmend me emër kërcënuesin, me arsyetimin se frikësohej për sigurinë e familjes së tij.

“Pyetjet që po hijmë tash na unë jam i kërcënuar. Ii kam 4 fëmijë, me qit emrin e atij që po më kërcënon tutna për familjen tem që si gjej të gjallë. E kam lajmëru disa herë, po sen nuk ka ndodh, unë edhe kam dhanë pare, edhe jam në vuajtje të dënimit, edhe jam i kërcënuar”, tha dëshmitari.

Lidhur me këtë, dëshmitari tha se prej se ndodhej në burg, në vazhdimësi kishte pranuar kërcënime dhe se një kërcënim së fundi e kishte pranuar kur në shtëpinë e tij kishte arritur ftesa për këtë seancë.

“Kam kërcënim prej që jam në burg, veç pe tregoj realitetin, ka 2 javë që e kom thirr familjen e më kanë tregu për ftesën e gjykatës, më kanë thanë jon kon gjinja te shpija, kqyr çka fol, i njoh ata me emra e mbiemra, po spo du mi bo publik për hir të sigurisë së familjes. I ka incizuar gruaja jem këta persona”, sqaroi dëshmitari.

Në rrethana të tilla dhe pas marrjes së mendimit të mbrojtjes, gjykatësja e rastit Valbona Selimaj mori vendim që të ndërpritet dhënia e dëshmisë nga dëshmitari Zekaj.

Gjykatësja Selimaj njoftoj se krahas procesverbalit, gjykata do të përpilonte edhe një shënim zyrtar, të cilën do t’ia dërgojë prokurorisë, që ajo t’i trajtoj deklarimet e dëshmitarit Zekaj për kërcënim ndaj tij.

Seancat e ardhshme u caktuan të mbahet më 26 dhe 27 tetor nga ora 09:30, raporton “Betimi për Drejtësi”.Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 4 mars 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj gjyqtarit të Departamentit të Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj, Rafet Ismaili dhe zyrtarit policor Blerim Gashi.

Sipas aktakuzës, Ismaili në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar përfitim pasuror, me pretendimin që i njëjti është në gjendje të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtar.Po ashtu, sipas aktakuzës i pandehuri më 28 gusht 2019, në veturën e dëshmitarit F.Z., derisa së bashku po udhëtonin nga Skenderaj për në Prishtinë, ka marr nga dëshmitari të hollat në shumë prej 1 mijë e 500 euro, me qëllim që i pandehuri të ushtrojë ndikimin e padrejtë tek kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, për të marrë vendim për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burgim, i shqiptuar me Aktgjykimin e formës së prerë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, të datës 26 korrik 2018 ndaj dëshmitarit F.Z., në kohëzgjatje prej 4 vjet 10 muaj dhe ushtrimit të ndikimit të njëjtë tek gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës për prishjen e aktgjykimit të lartcekur me mjetin e jashtëzakonshëm juridik, kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë.

Ndërsa sipas prokurorisë,  i akuzuari Blerim Gashi, në cilësi të personit zyrtar, polic në Policinë e Kosovës, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar përfitim pasuror, me pretendimin që i njëjti është në gjendje të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtar, ashtu që i njëjti më 28 gusht 2019, në veturën e dëshmitarit F.Z., në Fushë Kosovë, ka marr nga dëshmitari të hollat në shumë prej 1 mijë euro me qëllim që i pandehuri të ushtrojë ndikim të padrejtë tek gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës për prishjen e aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, të datës 26 korrik 2018, me mjetin e jashtëzakonshëm juridik, kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë, aktgjykim me të cilin dëshmitarit i ishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 vjet e 10 muaj.

Ndryshe, Policia e Kosovës, në një komunikatë për media, kishte njoftuar se nën dyshimet për vepra penale të korrupsionit, është arrestuar një gjykatës në Departamentin Penal të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj dhe një zyrtar policor, në mbrëmjen e 26 shtatorit.

Kurse, një ditë pas arrestimit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) e kishte pezulluar nga detyra gjykatësin Ismaili.

Shpërndaje në rrjete sociale