Gjenerali i NATO-s: Kosova e Serbia të tregojnë fleksibilitet për kompromise të nevojshme

16:24 | 31 Maj 2025
E.K

Kreu i Zyrës së NATO-s në Beograd, Gjeneral Brigade Pierluigi Lodola, ka theksuar vendosmërinë e Aleancës për të ruajtur sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Ai ka vënë në pah ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë pas dhunës së vitit 2023, duke e cilësuar si një nga përforcimet më të mëdha të misionit të KFOR-it në dekadën e fundit.

Në një intervistë për median serbe në Kosovë, “Kosovo Online”, Lodola theksoi se NATO ka kërkuar nga autoritetet serbe që të vënë para drejtësisë personat përgjegjës për incidentet e vitit të kaluar.

“Në përgjigje të dhunës që pamë në vitin 2023, NATO dislokoi deri në 1,000 trupa shtesë në Kosovë dhe rriti gatishmërinë e KFOR-it në veri të vendit. Kjo ishte përforcimi më i madh i misionit tonë në dhjetë vjet. Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje autoriteteve serbe që të sigurojnë që ata që janë përgjegjës për dhunën në vitin 2023 në Kosovë të sillen para drejtësisë”, deklaroi ai.

Gjenerali vuri theksin edhe te mbështetja e plotë e NATO-s për dialogun Kosovë–Serbi të lehtësuar nga BE-ja, duke e konsideruar atë si rrugën e vetme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike:

“Që të ecet përpara, është e domosdoshme që Beogradi dhe Prishtina të zbatojnë marrëveshjet ekzistuese. Të dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet për të bërë kompromiset e nevojshme – kjo është kyçe për sigurinë afatgjatë në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal.”

Lodola përshëndeti gjithashtu emërimin e Peter Sorensenit si Përfaqësues i ri Special i BE-së për Dialogun Kosovë–Serbi dhe konfirmoi se ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë të NATO-s, përfshirë Zëvendës Sekretaren e Përgjithshme, Radmila Shekerinska, dhe Komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Barduani.

Në intervistë, ai vlerësoi edhe bashkëpunimin ndërmjet KFOR-it dhe Forcave të Armatosura Serbe, duke përmendur patrullimet e sinkronizuara përgjatë kufirit Kosovë–Serbi si shembull pozitiv të bashkëpunimit të ndërsjellë për sigurinë në rajon.

“Duke qenë se siguria e Ballkanit Perëndimor është jetike edhe për ne, nuk do të lejojmë që ajo të rrezikohet. Serbia është një partner i rëndësishëm në rajon dhe ne llogarisim te roli i saj për të kontribuar në stabilitetin dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore”, përfundoi Gjeneral Lodola.