Gecaj ka një këshillë për Listën Serbe

12:09 | 16 Dhjetor 2016
M. A.

Mbrëmë ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Dalibor Jevtiq ka përsëritur se Lista Serbe, e cila ka tash e sa muaj që ka bojkotuar institucionet e Kosovës, nuk planifikon ende të kthehet.

Ai e ka kushtëzuar kthimin e Listës Serbe me dekretin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, shkruan Indeksonline.

Lidhur me këtë ka reaguar zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, i cili ka thënë për Indeksonline se ata së pari duhet të kthehen në institucione, e pastaj të bisedojnë për gjëra të tilla.

“Nuk është hera e parë që thuhet kështu prej Listës Serbe, është thënë edhe prej ministrave tanë e edhe prej përfaqësuesve të Beogradit. Ne kemi thënë që asnjë lëvizje që është rastësore nuk mund të kryhet pa u kthyer ata në institucione, nuk mund të bisedohet kjo çështje në vakuum”, ka theksuar Gecaj.

Sipas tij, kjo çështje duhet të bisedohet me shefin e ekzekutivit dhe jo të flitet në media.

“Ata duhet të kthehen në institucione dhe të ulen me kryeministrin e jo me fol me media, por duhet të flasin me kryeministrin, me shefin e tyre dhe ti bisedojnë këto çështje”, ka thënë tutje Gecaj.

Kujtojmë se që nga miratimi i Ligjit për Trepçën në shenjë kundërshtimi, Lista Serbe ka nisur të bojkotoj seancat plenare të Kuvendit, mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit. Kjo listë ka bërë të ditur se nuk e njeh asnjë vendim lidhur me çështjen e Trepçës, që është miratuar pa marrëveshje me përfaqësuesit politik të serbëve.

Shpërndaje në rrjete sociale