Fillimi i vitit shkollor në Ferizaj ka nisur pa probleme

19:54 | 17 Shtator 2015
M. A.

Drejtoria komunale e Arsimit në Ferizaj vlerëson se fillimi i vitit të ri shkollor në këtë komunë ka nisur mbarë falë përgatitjeve që janë bërë me kohë.

I pari i kësaj drejtorie, Muhamet Halili, gjatë një konference për media ka bërë të ditur se përgatitjet teknike dhe shpërndarja e teksteve janë bërë me kohë, ndërsa duke folur për këtë të dytën ka thënë se ka qenë sfidë e drejtorisë ngase fillimisht është menduar se shpërndarjen e librave do ta bënte MASHT-i.

Halili ka nënvizuar se në kuadër të përgatitjeve teknike disa objekte shkollore i janë nënshtruar renovimeve të tërësishme.

“Tek disa objekte e kemi bërë lyerjen e tërësishme, ndërsa tek disa të tjera vetëm pjesërisht. Kjo është bërë më qëllim të sigurimit të një ambienti më të mirë shkollor për nxënësit”, ka thënë Halili.

Duke folur për kuadrin mësimor, drejtori Halili, ka vënë theksin në atë se konkursi për pranimin e kuadrit mësimor është shpallur me vonesë sipas rekomandimeve të Ministrisë.

“Kemi pasur rekomandime nga MASH-i që konkursi të shpallet me normativin e ri në mënyrë që ai të jetë unikë edhe për shkollat profesionale dhe për arsimin e përgjithshëm. Ne e kemi respektuar këtë”, ka bërë të ditur Halili.

Gjithashtu u bë e ditur se në kuadër të përgatitjeve, shkollat e komunës së Ferizajt janë pajisur edhe me lëndë djegëse. Duke u ndërlidhur me mungesën e teksteve nëpër disa shkolla të komunës, drejtori Halili,ka thënë se kërkesat për to janë bërë konform kërkesave që kanë ardhur nga drejtorët e shkollave.

“Ne i kemi bërë me kohë kërkesat në MASHT për ato tekste të pakta që mungojnë,në mënyrë që edhe ata të furnizohen me tekste. Kemi një premtim që javë e ardhshme do t’i kemi ato tekste”, ka thënë Halili.

Ndryshe, ditë më parë drejtues nga Departamenti i Arsimit në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) në Ferizaj kanë adresuar akuza për kryetarin e Ferizajt, për çështje që kanë të bëjnë me arsi min në Komunën e Ferizajt, përkatësisht me degradimin në vijimësi që i po bëhet këtij sektori të ndjeshëm të shoqërisë. Ata kanë paralajmëruar se në një konferencë shtypi do të iniciojnë çështjen e përzgjedhjes së kuadrit mësimor, angazhimin e njerëzve në marrëdhënie pune pa shpallur konkurset dhe me rekomandime, ndërsa nuk kanë përjashtuar mundësinë që grupi kuvendar i PDK-së në Kuvendin e Ferizajt të kërkojë një raport të detajuar nga kryetari lidhur me këto çështje.

Shpërndaje në rrjete sociale