Edita Tahiri: Gratë duhet të jenë promovuese të dialogut

12:36 | 20 Tetor 2015
M. A.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, njëherësh kryetare e Lobit Rajonal të Grave në Evropën Juglindore (RWLSEE) mori pjesë në Konferencën rajonale që u mbajt në Shkup, me qëllim rritjen e rolit të grave në proceset politike dhe eurointegruese në Maqedoni dhe rajon, me theks të veçantë për angazhimin e tyre në zgjidhjen e krizave politike përmes dialogut dhe mjeteve demokratike.

Konferenca u organizua nga Lobi rajonal i grave dhe UNWomen, dhe në të morën pjesë personalitete të jetës politike dhe shoqërisë civile nga të gjitha vendet e rajonit.

Tahiri në fjalën e saj theksoi se fuqizimi i grave në politikë dhe vendimmarrje është në interesin e të gjithë vendeve demokratike që synojnë zhvillim dhe integrime euro-atlantike. Shteti dhe shoqëria duhet të investojnë më shumë në përkrahje të një statusi të barabartë për gratë në të gjitha sferat e jetës. Nga ana tjetër, gratë duhet të jenë promovuese të dialogut dhe bashkëpunimit sidomos në momente të caktuara të krizave politike në vende të ndryshme, sepse vlerat e tyre të veçanta mund të ndihmojnë në tejkalimin e situatave. Ato duhet të shquhen në proceset demokratike dhe integrimet euro-atlantike duke u bërë faktor kredibil në politikat vendore dhe ndërkombëtare. Vlerësoj pjesëmarrjen e grave në politikë, por duhet të angazhohemi më shumë për të zhvilluar vlera evropiane, ndër të tjera ku gruaja sot nuk shihet vetëm si kuotë por duke i parë protagoniste, ku cilësia e grave matet me angazhimet e tyre në zgjidhjen e krizave politike, dhe ky është momenti i grave për të treguar se sa mund të bëjnë për vendin dhe shoqërinë.

Duke folur për marrëdhëniet ndëretnike, Tahiri po ashtu theksoi se Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet plotësisht dhe në mënyrë përmbajtjesore në të mirën e shqiptarëve në Maqedoni. Vendet multietnike nuk mund të udhëhiqen me politika monoetnike sepse qasjet e tilla janë të dëmshme dhe destabilizuese, tha ajo.

Në konference morën pjesë edhe Renata Deskovska, zëvendëskryetare e Parlamentit të Maqedonisë, Irina Pockova, anëtare e Komitetit Drejtues të LRG në Maqedoni, Teuta Arifi, Kryetare e komunës së Tetovës, Ermira Mehmeti, deputete në Parlamentin e Maqedonisë, Savka Todorovska, presidente e Këshillit Nacional të grave të LRG, Roza Tupozova, deputete në Parlamentin e RM, Mariana Berecz, zëvendësshefe e Misionit të OSBE në Shkup, Nada Drobnjak, deputete nga Mali i Zi, Memnuna Zvizdiq, anëtare e komitetit drejtues të LRG në Bosnjë dhe Hercegovinë, Gordana Sobol, deputete në Parlamentin e Kroacisë, Flora Macula UNwomen, Kosovë, Morana Palikovic, ish-zëvendëspresidente e Kuvendit komunal në Zagreb dhe anëtare e lobit rajonal të grave, Kroaci, njoftoi shërbimi qeveritar i shtypit.

Shpërndaje në rrjete sociale