Shoqatat që përfaqësojnë familjarët e personave të zhdukur, këtë gjysmë viti e cilësojnë si të dështuar sa i përket procesit për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Për ta, ky vit është i papranueshëm dhe është punuar fare pak në këtë drejtim. Për disa, problemi po qëndron tek mos-presioni i ndërkombëtarëve mbi Serbinë, e disa e fajësojnë vet Komisionin Qeveritar për Persona të Pagjetur, me arsyetimin se këtij të fundit i mungojnë ekspertë që do të mund të bënin më shumë drejt ndriçimit të fatit të personave të zhdukur.
Udhëheqësi i Shoqatës për hulumtimin e fatit të Personave të Pagjetur në Komunën e Prishtinës, Haki Kosumi, thotë se me gjithë premtimet e mëdha që janë bërë, ky vit po del të jetë i dështuar sa i përket gjetjes së informacioneve për njerëzit që Kosova po i kërkon tash e 16 vjet.
“Konsideroj se përkundër përpjekjeve, përkundër premtimeve të shumta, viti 2015 ka qenë një vit i pa-pranueshëm, vit i dështuar, i procesit të gjetjes së informacioneve për njerëzit të cilët po i kërkojmë tash e 16 vite. Familjarët vërtetë janë shumë të dëshpëruar, të zhgënjyer dhe nuk e di, nuk iu ka mbet as forcë të bëjnë kërkesa më para qeveritarëve tanë, dhe të adresojnë kërkesa para faktorit ndërkombëtar të cilët kanë përgjegjësi , kanë dhënë premtime dhe kanë obligim të bëjnë më shumë për këtë çështje”, thotë ai.
Për rezultatet e këtij gjysmë viti në këtë proces, Kosumi, fajin e hedh tek Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur, për të cilin thotë se i mungojnë ekspertë.
Vit të mbrapshtë e quan edhe përfaqësuesi i familjeve te të zhdukurve, Bajram Qerkinaj. Për këtë, ai gishtin e drejton tek vendorët e ndërkombëtarët.
Qerkinaj, thotë se përmirësime nuk do të ketë nëse familjarët vazhdojnë të heshtin dhe mos të bëjnë presion.
Ndërsa, Jahja Bejta, drejtor i shoqatës “Ngritja e zërit”, shoqatë kjo që mirret e kompensimin e dëmeve të luftës por që është pjesë e këshillit koordinues të asociacionit të familjarëve te të zhdukurve, thotë se procesi për zbardhjen e fatit te të zhdukurve po zvarritet për shkak të mungesës së vullnetit të Serbisë.
Përkundër vitit 2014 ku pati një varg aktivitetesh gërmuese në 19 lokacione në Kosovë dhe 3 në Serbi, nën dyshimin për gjetjen e varrezave masive, sivjet nuk ishte një vit i tillë.
Në pjesën e parë të këtij viti, pati dy aktivitete gërmuese. Një ishte konfirmim i identitetit. Aktivitetet ri-nisin në Mitrovicë, por që u ndërprenë po atë ditë për shkak të keqësimit të gjendjes së njërit nga punëtorët. Atyre u mungonin pajisjet e duhura për të gërmuar në vendet e thella.
Gërmimet vazhduan në Ranillug të Kamenicës, lokacion ky që rezultoi me mos-gjetje. Pjesët më të vështira për gërmim po mbesin ato me shumicë serbe.
Megjithatë, kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenk Gjetaj thotë se aktivitetet gërmuese të radhës pritet të bëhen në veri të Mitrovicës.
E familjarët e personave të pagjetur, nuk u hiqet mendimi se është bërë pak në ndriçimin e fatit të më të dashurve të tyre.
16 vjet pas luftës, në Kosovë vazhdojnë të mbesin të zhdukur mbi 1600 persona, të cilët u vranë, e u zhdukën pastaj nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Keijsi është banori më i ri i Big Brother VIP Albania
Haxhiu: S’përjashtoj mundësinë që ndonjë deputet nga opozita...
Përdorimi i termit “qorr” nga Iliri, Stenaldo: Nuk më është ...
Presidenti ukrainas konfirmon bisedimet me Trump për vendosj...
Qeveria e Shqipërisë nderon 13 figura të shquara me pension ...
Arsenal fiton ndaj Aston Villa dhe forcon kreun