Driton Muharremi e Vilard Bytyqi zgjedhën anëtarë të KGJK-së

13:43 | 13 Gusht 2020
M. A.

Driton Muharremi e Vilard Bytyqi janë anëtarët e zgjedhur të KGJK-së nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Nga katër kandidatë sa janë përzgjedhur nga komisioni, deputetët në seancën e sotme plenare kanë votuar për dy prej tyre.

Pas raundit të dytë të votave, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi në emër të Komisionit për Legjislacion ka njoftuar se në votim kanë marrë pjesë 87 deputetë.

“Në votim kanë marrë pjesë gjithsej 87 deputetë. Vota të pavlefshme janë një. Ndërsa votat i kanë marrë si në vijim: Driton Muharremi 45 vota, Hashim Çollaku 33 vota, Hasim Sogojeva 35 vota dhe Vilard Bytyqi 37 vota”, tha ajo.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Kujtim Shala tha se në bazë të këtij raporti dy anëtarët e zgjedhur të Këshillit Gjyqësor të Kosovës janë Driton Muharremi dhe Vilard Bytyqi.

“Në bazë të raportit të komisionit votues, Kuvendi zgjodhi Driton Muharremi dhe Vilard Bytyqi anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës me mandat pesëvjeçar. Muharremi i ka marrë 45 vota dhe Bytyqi 37 vota”, ka njoftuar Shala.

Zgjedhja e kandidatëve për anëtarë të KGJK-së bëhet me votim të fshehtë dhe mandati i tyre është pesëvjeçar.

Pas kësaj Kuvendi shkon në pauzë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale