Dogana e Kosovës ndër 10 vendet më të suksesshme në operacionin “STOP IV”

12:43 | 24 Mars 2026
E.H

Dogana e Kosovës njofton se po merr pjesë në Sesionin e 46-të të Komitetit të Zbatimit të Organizata Botërore e Doganave, i cili po zhvillohet në Bruksel, duke bashkuar përfaqësues të administratave doganore nga e gjithë bota.

Në njoftimin e Doganës thuhet se ky sesion shërben si platformë kyçe për diskutimin e prioriteteve strategjike dhe operacionale në fushën e zbatimit doganor.

“Në fokus janë përmirësimi i kornizës rregullative, zhvillimi i instrumenteve moderne të zbatimit, si dhe rritja e përdorimit të teknologjisë dhe analizës së të dhënave në proceset operative. Njëkohësisht, po trajtohen zhvillimet më të fundit në operacionet ndërkombëtare dhe po përcaktohen orientimet e ardhshme për vendet anëtare, me qëllim forcimin e një qasjeje të koordinuar dhe efektive në luftën kundër krimit ndërkufitar, kontrabandës dhe mashtrimeve tregtare”, thuhet në njoftim.

“Kontributi i Doganës së Kosovës në këtë kuadër reflektohet edhe në rezultate konkrete. Në operacionin ndërkombëtar “STOP IV” të Organizata Botërore e Doganave, Kosova është renditur e 7-ta nga 119 shtete pjesëmarrëse, në luftën kundër mallrave të falsifikuara. Ky pozicionim nënvizon përkushtimin institucional dhe kapacitetet profesionale në zbatimin efektiv të ligjit dhe mbrojtjen e tregut”, thuhet më tej në njoftim.

Pjesëmarrja aktive në këto mekanizma ndërkombëtarë konfirmon rolin e Doganës së Kosovës si një partnere e besueshme dhe kontribuese në kuadër të Organizata Botërore e Doganave, e angazhuar në avancimin e standardeve doganore dhe në forcimin e bashkëpunimit global kundër aktiviteteve të paligjshme./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale