Ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar në Gjykatën Themelore në Pejë, ndaj të akuzuarit për krime lufte, Milorad Zajic. Arsyeja për mos mbajtjen e seancës ishte mos pajisja e të pandehurit me shkresat e lëndës.
Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Milos Dileviq, deklaroi se nuk i posedonte të gjitha shkresat e lëndës, përveç aktakuzës, duke propozuar gjykatës që seanca e sotme të shtyhet.
“Nuk i kemi pranuar shkresat e lëndës nga prokuroria, përveç aktakuzës që i pandehuri e ka pranuar së bashku me ftesën për seancë”, ka thënë ai.
Prokurorja e rastit, Fikrije Fejzullahu deklaroi se kishte bërë përpjekje që mbrojtjes së të pandehurit t’ia sigurojë shkresat e lëndës, por kjo nuk kishte mundur të bëhej.
Kurse, sa i përket propozimit të PSRK-së për caktimin e masës së paraburgimit, mbrojtësi i të pandehurit deklaroi se masa e arrestit shtëpiak, ka dhënë efekt të plotë dhe si rrjedhojë sipas tij, gjykata është e obliguar të mos aplikojë masa me të rënda nëse masa më e lehtë do të ketë efektin e njëjtë.
Kurse, i pandehuri Zajic lidhur me këtë propozim deklaroi se nuk do të lëvizë nga shtëpia e tij, në të cilën është nën masën e arrestit shtëpiak.
“Unë nuk do të lëvizi nga shtëpia, por të vetmin problem të cilin e kam është se kam nevojë për trajtim mjekësor, e që do të bëjë nën mbikëqyrjen e policisë”, ka thënë ai.
Kryetari i trupit gjykues, Kreshnik Radoniqi mori vendim që seanca fillestare të mbahet më 22 gusht 2018, prej orës 10:00.
Ndërsa, lidhur me kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, do të merret vendim pas seancës.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Milorad Zajic, akuzohet për krime lufte, pasi pretendohet se gjatë periudhës kohore qershor-korrik të vitit 1998, në fshatin Dush të Komunës së Klinës, aktivisht kishte marrë pjesë si ushtar dhe paramilitar serb në ofensivat kundër popullatës shqiptare.
Në aktakuzë përshkruhet se i akuzuari Milorad, kishte përgatitur shtëpinë e tij që të shërbente si bazë e forcave serbe.
“Me datë 19 qershor 1998, rreth orës 12:00 në fshatin Dush, i pandehuri i veshur në pjesën e epërme me uniformë ushtarake dhe në pjesën e poshtme me pantollë civil, nga vetura e tij ‘Zastava’, ngjyrë e verdhë, shkarkoi tek shtëpia e tij në Dush, armë të kalibrit të ndryshëm”, thuhet në aktakuzë.
Sipas aktakuzës, i pandehuri më pas ka shtënë prej shtëpisë së tij, me automatik në drejtim të shtëpive të shqiptarëve.
Ndërsa, në pasditen e së njëjtës datë, siç thuhet në aktakuzë, filluan sulmet e serbëve në drejtim të fshatit Dush, dhe nga shtëpia e të pandehurit u dhanë urdhra për ofensivë.
Gjithmonë sipas aktakuzës, si pasojë e këtyre sulmeve, në tërësi u dogjën shtëpitë e shqiptarëve në fshatin Dush dhe u dogjën Zade, Osman dhe Haradin Marmullaku, i cili ishte i paralizuar.Sipas aktakuzës, pjesë e këtyre sulmeve ofensive ishte edhe vet i pandehuri Milorad Zajic. /betimiperdrejtesi
Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme/deshton-seanca-fillestare-e-gjyqit-per-krime-lufte-ne-kline-567725/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright
Real Madridi përballë Barcelonës në gjykatë – akuzat marrin ...
Edi Rama uron fundjavë të mbarë me pamje nga Maja e Gramës n...
Presidentja Osmani takon sot Papa Leon në Pallatin Apostolik...
Trumpi thotë se Tajlanda dhe Kamboxhia janë pajtuar t’i ndal...
Vuçiq paralajmëron vizitë zyrtare në Kinë
Sindikatat shpallin grevë në Itali kundër buxhetit