Debat në Kuvend për krizën energjetike – LDK kërkon anulimin e vendimit për largimin e bizneseve nga tregu i rregulluar i energjisë

16:44 | 21 Maj 2025
E.K

Sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës u mbajt një takim i jashtëzakonshëm me përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe kompanisë furnizuese KESCO, me iniciativë të deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe me mbështetje nga deputetë të partive të tjera.

Tema kryesore ishte vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për të larguar rreth 1300 biznese nga tregu i rregulluar i energjisë elektrike.

Edhe pse të ftuar, përfaqësuesit e ZRrE-së dhe Autoritetit të Konkurrencës (AKK), institucione që me ligj raportojnë para Kuvendit, munguan në takim.

Deputetët kritikuan ashpër këtë mungesë, duke e cilësuar si shmangie nga përgjegjësia dhe mungesë transparence, veçanërisht duke theksuar se përfaqësues të ZRrE-së kishin marrë pjesë vetëm dy ditë më parë në një takim me deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje – por jo në Kuvend, por në ndërtesën e Qeverisë.

“Në këtë takim të ftuar kanë qenë edhe ZRrE dhe Autoriteti i Konkurrencës (AKK), të dy këto institucione që me Ligj i raportojnë Kuvendit, fatkeqësisht nuk morën pjesë, duke shmangur përballjen me deputetët dhe publikun për vendime me pasoja të rënda ekonomike për vendin. Të rikujtojmë se ZRrE dhe AKK iu shmangën Kuvendit sot, por vetëm para dy ditëve ZRrE ka marrë pjesë në një takim me deputetët e LVV-së, por jo në Kuvend po në ndërtesën e Qeverisë. Ky nuk është profesionalizëm, ky është servilizëm. Institucionet nuk mund t’i ikin përgjegjësisë duke i ikur Kuvendit’, thuhet në njoftim.

Gjatë takimit u diskutuan pasojat socio-ekonomike që vendimi i ZRrE-së mund të ketë për bizneset vendore.

“Takimi megjithatë u mbajt dhe trajtuam çështje si: pasojat socio-ekonomike të vendimit për largimin e bizneseve nga tregu i rregulluar, mungesa e konkurrencës reale në tregun e ashtuquajtur “të hapur”, u kërkua transparencë dhe përgjegjësi për interpretimin e dispozitave ligjore, sidomos Nenit 37. paragrafi 2. të Ligjit për Energjinë Elektrike, në bazë të të cilit KESCO jashtligjshëm është duke u përjashtuar rreth 1300 kompani nga shërbimi universal”, vijon njoftimi./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale