Dardan Krivaqa nuk pranoi të deklarohej sot para prokurorit, vazhdon të mbrohet në heshtje

12:00 | 20 Tetor 2021
A Z

Dardan Krivaqa, tash e tri herë ka shfrytëzuar të drejtën e tij për t’u mbrojtur në heshtje, i cili është i dyshuar për vrasjen e ish-partneres së tij 18-vjeçare, Marigona Osmani.

Krivaqa ka pasur të deklarohet sot në orën 09:00 para prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, por i njëjti ka thënë se nuk dëshiron të flas pa i parë provat e prokurorisë, shkruan arbresh.info.

Kështu tha për arbresh.info avokati i familjes së Marigona Osmanit, Gazmend Rexhepi.

“Po është duke u mbrojtur në heshtje, në Polici kur është arrestuar, në gjykatë kur i është caktuar paraburgimi, edhe sot para prokurorit në ora 09:00 që ka pasur mu deklaruar është hera e tretë që mbrohet në heshtje. Sot është deklaruar Krivaqa se donë më i pa provat dhe në fazat e tjera do të deklarohet”, tha Rexhepi.

Kujtojmë se Instituti i Mjekësisë Ligjore e ka dorëzuar në prokurorinë kompetente raportin e autopsisë së Marigona Osmanit, e cila dyshohet se u vra pas dy ditësh keqtrajtimi mizor nga ish-partneri i saj Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu.

Ndryshe, Krivaqa e Sejdiu akuzohen se më 22 gusht të këtij viti kanë privuar nga jeta 18-vjeçaren Marigona Osmani, ku më pas e kishin dërguar pa shenja jete në Spitalin e Ferizajt dhe ishin larguar./arbresh.info/

Të ngjashme