Investitorë nga Evropa, investime në infrastrukturë dhe shfrytëzim të pasurive natyrore, të cilat vazhdojnë të mos shfrytëzohen, janë vetëm disa nga premtimet e kandidatëve për kryetar të Drenasit, zgjedhjet për të cilin do të mbahen më 4 dhjetor.
Ata kanë kritika edhe për ikjen e investitorëve. Kurse, kandidimin e Ramiz Lladrovcit nga Partia Demokratike e Kosovës e shohin si imponim të partisë, i cili ka sjellë pakënaqësi te qytetarët.
Kandidatët e pavarur që kanë dal nga partia më e madhe në Drenas, Partia Demokratike e Kosovës, mendojnë se votat do t’i marrin nga elektorati i kësaj partie. Ndërsa, kandidatët e subjekteve tjera politike, mendojnë se do të fitojnë për shkak të pakënaqësive nga partia që drejton Drenasin që nga paslufta.
Kandidati i Pavarur për komunën e Drenasit, Naim Bazaj, tha për KosovaPress-in se qytetarëve të Drenasit iu premton vetëm investime. Ai në të njëjtën kohë përmendi shifrën për rreth 985 mijë euro që ka humbur komuna e Drenasit për shkak të ikjes së investitorëve.
“Qytetarëve të Komunës së Drenasit iu premtoj vetëm investime edhe investitorë nga Evropa, jo vetëm fjalë e premtime siç ka bërë deputet e Parlamentit të Kosovës deri më tani tek na në Drenas…Në zgjedhjet e fundit që kanë pasur, janë dënuar 270 vetë për shkak të tyre, jo për shkakun tim personal, 270 diku 985 mijë euro është vlera që kanë humbur qytetarët e komunës së Drenasit…Kemi dy projekte të cilat janë shumë të fuqishme, njëra ka qenë 20 milionë, vlera e investimeve e cila na ka premtua një kompani zvicerane edhe e dyta kompania italiane, ku vlera është 51 milionë euro, d.m.th vlera është 71 milionë euro në zhvillime vetëm nga këto dy premtime me të cilat iu premtoj edhe iu garantoj që do të realizohen brenda një afati shumë të shkurtër, nëse do të jem unë… Unë besoj që kam qenë shumë afër qytetarëve të Drenasit…Ma merr mendja që kemi një mbështetje të fuqishme në elektoratin e PDK-së, të gjithë ata simpatizues që i kam pasur dhe ata që i kem pasur deri më tash”, tha Bazaj.
I pyetur për kandidaturën e ish-ambasadorit, Ramiz Lladrovcit për kryetar të Komunës së Drenasit, ai tha se Lladrovci nuk është dashtë t’i prishë kolltukët atje e as të vijë nga qendra por të vijë me propozime konkrete. Ai shpreson që më nuk do të bëhen imponime nga niveli qendror si kësaj here, sepse në të njëjtën kohë edhe e kanë humbur kandidaturën dhe sipas tij këto po sjellin edhe pakënaqësi tek qytetarët.
Kandidati tjetër i pavarur, Rrahim Elshani, ka folur për problemet të cilat janë në komunën e Drenasit, duke u zotuar se ka hartuar plane konkrete për t’i përmirësuar të gjitha këto. Kurse, për propozimin e ish-ambasadorit, tashmë kandidat për këtë komunë, ai tha se këto struktura që janë zgjedhur nuk sjellin ndonjë ndryshim.
“Janë probleme të grumbulluara me vite, kryesisht janë probleme infrastrukutore duke filluar prej rrugëve, ujësjellëve, kanalizimeve, ndotjeve të lumenjëve, ndotje të ambientit edhe nga Feronikeli, pastaj shëndetësia, që t’i thaush dikujt në shekullin 21, Komuna e Drenasit nuk ka barnatore për barna esenciale, është një diçka absurde, probleme tjera janë infrastruktuore, kryesisht por edhe punësimi, si dhe ikja e investitorëve, të cilat kanë ikur për arsye të ndryshme të cilët nuk do t’i akuzojë tashmë…Në shumë dikastere, drejtori nuk janë të dominuar, ata që kanë vizion ide ose profesionalisht nuk e kanë atë ide të vetën… Fusha e Mollës, vendi ku ka ujë mineral që del në Vërbovc nuk shfrytëzohet, pra, mund të krijohet një digë prapë të krijohet një Liqen Atrificial. Për ujët e Poklekut e dini të gjithë buron dhe derdhet kot…Shumë komuna problemin e shujtës dhe 70 përqindëshin e udhëtimit të profesorëve e kanë zgjedhur, kurse, kjo tek komuna e Drenasit është e pazgjidhur, unë besoj që me 40 mijë euro zgjedhet ky problem… Janë këto probleme që më kanë shtyrë të kandidojë”, tha Elshani.
Në anën tjetër, kandidati nga Nisma për Kosovën, Isa Xhemajli, tha se nuk do të punojë për subjektin e tij politik por për qytetarët e Drenasit dhe se qeverisjen do të bëj me ta. Ai është zotuar se do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo në sundim të tyre.
“Në këto zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat janë organizuar në komunën tonë, në Drenas pres një fitore të kandidaturës time ndaj kandidatëve të tjerë, arsyeja është shumë thjeshtë sepse rreth emrit tim janë bashkuar jo vetëm disa subjekte politike por edhe shumë qytetarë të cilët deri më tani kanë qenë shumë të pakënaqur me qeverisjen që iu është ofruar…Kemi një regres, veçanërisht në komunën e Drenasit, kështu që të gjithë qytetarët duke u bazuar në të kaluarën dhe përvojën time kësaj radhe kanë vendosur që t’i besojnë këtij kandidatit gjegjësisht mua“, tha Xhemajli.
KosovaPress ka tentuar të flas edhe me kandidatin e partisë më të madhe në Drenas, Partisë Demokratike të Kosovës, Ramiz LLadrovcin, por një gjë e tillë ishte e pamundur. Ndryshe, zgjedhjet e jashtëzakonshme në këtë komunë do të mbahen më 4 dhjetor./Arbresh.info
Macron: Evropa duhet rregulla bashkëjetese me Rusinë pas paq...
Policia jep detaje mbi plagosjen në Zhabar të Mitrovicës
Vuçiq: Do të rrisim investimet në mbrojtje për shkak të alea...
Parashikimi i motit për dy ditët në vijim
“Nuk ka qenë kurrë më i nervozuar”, Hansi Flick ‘shpëtheu’ p...
Zbulohet finalisti i parë i edicionit të katërt të BBVK