Vendimi i Gjykatës së EULEX-it për vazhdimin e paraburgimit edhe për dy muaj ndaj kryetarit të iniciativës qytetare SDP, Oliver Ivanoviq, është i turpshëm dhe zhgënjyes, sepse asnjë fakt shtesë nuk ekziston për një gjë të tillë.
Kështu u tha mes tjerash gjatë një konference me gazetarë në selinë e Iniciativës Qytetare ‘SDP’ të martën në veri të Mitrovicës, në lidhje me vazhdimin e paraburgimit edhe për dy muaj të liderit të kësaj Iniciative, Oliver Ivanoviq.
Zëvendëskryetarja e SDP-së, Ksenija Bozhoviq, ka pyetur se vallë a s’ka qenë e mjaftueshme mbajtja e Ivanoviqit në paraburgim për 19 muaj, dhe dëgjimi i më shumë se 50 dëshmitarëve deri tani, pastaj shëndeti i rënduar i Ivanoviqit deri në atë masë sa që ai të detyrohet të shtrihet në spital, vetëm duke dashur që përmes rrugës më të vështirë, grevës së urisë, të dëshmojë pafajësinë e tij.
Sipas saj, Ivanoviq ka ndërprerë grevën në sugjerim të familjarëve, miqve, priftërve, si dhe të shumë qytetarëve të Kosovës, ndërsa në rast të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore edhe ashtu të rënduar të Ivanoviqit, përgjegjës do të jetë drejtpërdrejtë EULEX-i.
Ajo tha se Ivanoviqit i janë cenuar të gjitha të drejtat më elementare nga EULEX-i, i cili, siç u shpreh ajo, është më së paku i interesuar për të drejtat e njeriut.
“Këtë vendim e kemi kuptuar në atë mënyrë, sikur EULEX-i po dëshiron të demonstrojë forcën. Ky është një tentim përmes të cilit EULEX-i është duke dëshmuar se më së paku është i interesuar për të drejtat e njeriut….Ne si Iniciativë Qytetare jemi në pritje sot të një përgjigjeje rreth informatave konkrete nga kryeministri Aleksandar Vuçiq, i cili do të bisedojë në Bruksel për rastin e Ivanoviqit. Hapi i ynë i ardhshëm do të jetë nisja e një iniciative për 10 kryetarët e Kuvendeve Komunale me shumicë serbe, për një takim të përbashkët dhe urgjent në Mitrovicë. Këtë do ta bëjmë gjatë ditës së sotme dhe shpresojmë se kjo iniciativë e jona do të hasë në mirëkuptim”, ka thënë Bozhoviq.
Ndërkaq, avokati i Ivanoviqit, Lubomir Pantoviq, ka bërë të ditur se ankesën kundër vendimit për vazhdimin e paraburgimit edhe për 60 ditë ndaj klientit të tij, tashmë veç e ka dorëzuar në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, që ndodhet në Vushtrri, dhe pret ta shqyrtojë Gjykata e Apelit në Prishtinë.
Ai ka potencuar se vendimin për vazhdimin e paraburgimit të Ivanoviqit është i kundërligjshëm sepse një vendim të tillë e ka marrë një anëtar i Këshillit Gjyqësor dhe jo kryetari i këtij Këshilli, siç ishte dashur të bëhej sipas ligjit.
“Kodi penal i Kosovës potencon se gjatë shqyrtimit të seancës kryesore, paraburgimin ndaj të dyshuarit mund ta vazhdojë ekskluzivisht dhe vetëm kryetari i Këshillit Gjyqësor, ndërsa këtu kemi një situatë kur një gjë të tillë e ka zgjidhur një anëtar i Këshillit Gjyqësor, gjyqtari Madurei”, ka thënë Pantoviq.
Igor Simiq nga kjo parti ka thënë se sjellja joprofesionale dhe arrogante nga ana e EULEX-it ka shtyrë që komunikimi tash e tutje në mes të Iniciativës Qytetare ‘SDP’ dhe EULEX-it të jetë zero.
Në anën tjetër, bashkëshortja e Oliver Ivanoviqit, Milen a Ivanoviq, foli mes tjerash për gjendjen e rëndë shëndetësore të të dyshuarit, sidomos pas vazhdimit të paraburgimit edhe për dy muaj.
“Gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar sërish, por ai është nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore, janë caktuar vizitat specialistike gjatë tërë javës për shkak të ndryshimeve të caktuara… gjatë kësaj jave ose gjatë javës së ardhme pritet ardhja e mjekëve eminentë nga Beogradi të cilët do të bëjnë disa vizita shtesë rreth gjendjes së tij shëndetësore”, tha ajo.
Ndryshe, Oliver Ivanoviq bashkë me katër të dyshuar tjerë akuzohen për krime ndaj popullatës shqiptare gjatë viteve 1999-2000 në Mitrovicë.
Numërohen mbi 40% e vendvotimeve- këto janë pesëshet më të v...
Turqia arreston mbi 350 të dyshuar, si pjesë e një operacion...
IKSHPK jep këshilla për mbrojtje nga gripi sezonal
Arrestohet një 42-vjeçar në Prishtinë për vjedhje të rëndë
Basha: Në Ditën e Veteranëve kujtojmë sakrificën e familjes ...
Postimi prekës i burrit që humbi gruan në aksident, vetëm nj...