Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, D.Sh. dhe A.Sh., për disa vepra penale, përfshirë “fajde”, “kanosje” dhe “posedim të paautorizuar të narkotikëve”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, D.Sh. akuzohet për kryerjen e veprave penale “fajde”, “kanosje” dhe “posedim të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, ndërsa A.Sh. akuzohet vetëm për veprën penale “kanosja”.
Sipas aktakuzës, D.Sh. është akuzuar për kontraktimin e një borxhi të pabarabartë me një person të njohur si F.K., duke shfrytëzuar gjendjen e tij të rëndë financiare.
“I pandehuri D.Sh., nga data 01.09.2022 e në vazhdimësi deri me datë 07.11.2024 në Prizren, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit F.K., në atë mënyrë që pasi i dëmtuari ishte në gjendje të rëndë financiare dhe i duheshin të holla për biznesin e tij që ishte në falimentim, duke njohur të pandehurin të cilin e kishte bashkëfshatar, i dëmtuari shkon tek i pandehuri me të cilin takohen në Prizren, nga i cili merr 3.000 € (tremijë euro), ku me rastin e dhënies së të hollave, i pandehuri e paralajmëron se për çdo vonesë duhet të paguajë nga 300 (treqind) euro kamata mujore”, thuhet në njoftim.
I dëmtuari, thuhet se ka vazhduar të paguajë 300 euro kamatë mujore për një periudhë prej 6 muajsh.
“I dëmtuari për 6 (gjashtë) muaj rresht vazhdon të paguaj nga 300 (treqind) euro kamata mujore, pastaj në muajin Mars të vitit 2023 i dëmtuari me qëllim të mbylljes së fajdesë sërish nga i pandehuri merr të holla në shumë prej 4.000 € (katër mijë euro), ku me rastin e dhënies së të hollave i pandehuri e paralajmëron se duhet të paguaj 700 € (shtatëqind) euro kamatë mujore, pastaj i pandehuri për shumën e të hollave në vlerë prej 7.000 € (shtatëmijë euro), kërkon kamatë mujore në shumë prej 1.500 € (njëmijë e pesëqind) euro, të cilën shumë i dëmtuari i jep me datë 07.11.2024, me ç’rast i pandehuri me paratë e marra arrestohet në flagrancë, me ç’rast i dëmtuari përveç borxhit bazë tek i pandehuri ka paguar kamatë në vlerë prej 18.000 (tetëmbëdhjetë mijë) euro, me të cilat veprime të dëmtuarit i shkakton dëm material në vlerën e lartcekur. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Fajdeja” sipas KPRK-së”, thuhet tutje në njoftm.
Po ashtu, i pandehuri D.Sh., me qëllim të frikësimit ose shkaktimit të ankthit, seriozisht e kanos të dëmtuarin F.K., siç thuhet, me fjalë se do ta privoj nga jeta.
Përmes rrjetit social ‘Facebook’, i shkruan mesazhe me përmbajtje kërcënuese, me të cilat veprime tek i dëmtuari ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tij dhe familjen
“I pandehuri D.Sh., me qëllim të frikësimit ose shkaktimit të ankthit, seriozisht e kanos të dëmtuarin F.K., me fjalë se do ta privoj nga jeta, në atë mënyrë që përmes rrjetit social “Facebook”, i shkruan mesazhe me përmbajtje kërcënuese, me të cilat veprime tek i dëmtuari ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tij dhe familjen. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Kanosja” sipas KPRK-së”, thuhet në komunikatë.
Ndërkohë, i pandehuri tjetër, A.Sh., i cili është lidhur me rastin si i afërm i D.Sh., akuzohet gjithashtu për “Kanosje”. Ai ka përdorur mesazhe kërcënuese për të frikësuar F.K., duke kërkuar që i dëmtuari të ndryshonte dëshminë e tij në prokurori. Për këtë veprim, A.Sh. është akuzuar se ka shkaktuar ankth dhe frikë të konsiderueshme për jetën e F.K.
“Ndërsa, i pandehuri A.Sh., me datë 06.12.2024, në Prizren, me qëllim të frikësimit, shkaktimit të ankthit, seriozisht i kanos me fjalë se do t’i privojë nga jeta ose do t’i rrëmbejë të dëmtuarit F.K., dhe F.K., – i cili ishte viktimë e ndjeshme për shkak të moshës së mitur, në atë mënyrë që i pandehuri duke qenë në dijeni se i dëmtuari F.K., është viktimë e veprës penale të fajdesë, në të cilën rast i pandehur është djali i axhës së tij – D.Sh., ashtu që i pandehuri A.Sh., në mënyrë që të ndikojë tek i dëmtuari F.K., që i njëjti të tërheq deklaratën e tij në prokurori, përmes aplikacionit “WhatsApp”, mes tjerash i shkruan të dëmtuarit F.K.,(të miturit) mesazhe me përmbajtje kërcënuese, me të cilat veprime tek i dëmtuari ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tij dhe familjen. Me këto veprime, i pandehuri A.Sh., ka kryer veprën penale “Kanosja” sipas KPRK-së”, vazhdon njoftimi.
Prokuroria ka propozuar konfiskimin e disa sendeve si mjete të kryerjes së veprave penale, përfshirë automjetin, telefona dhe të holla të fituara në mënyrë të paligjshme.
Gjithashtu, prokurori ka kërkuar që pas shqyrtimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit./Arbresh.info
Ambasadori i ri gjerman viziton Mitrovicën e Veriut, thotë s...
FSK stërvitje ushtarake në Koliq dhe Badovc fundjavën tjetër...
Berlini dërgon aeroplanë luftarakë në Poloni për shkak të dr...
Vrasja e shqiptares në Itali, arrestohet autori i dyshuar – ...
Caktohet data kur nis gjyqi i dytë ndaj ish-presidentit Thaç...
Kurti: Kosova e përkushtuar në luftën kundër pastrimit të pa...