Arrestohet një person për një plagosje në muajin maj në Prishtinë

13:37 | 9 Qershor 2023
Emir Abduramani

Policia e Kosovës ka arrestuar një person për një plagosje që kishte ndodhur më 4 maj në Prishtinë.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, me armë zjarri i dyshuari kishte plagosur një tjetër në një lokal në rrugën “Ahmet Krasniqi” në kryeqytet.

“Menjëherë pas raportimit policia ka filluar trajtimin e informacioneve si dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme operativo-hetimore në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë karakterizuar rastin. Hetuesit kanë arritë të identifikojnë dhe sigurojnë prezencën e njërit prej personave të dyshuar, i cili dje është intervistuar nga ana e policisë dhe me urdhër të prokurorit të shtetit i njëjti është dërguar në mbajtje”, njofton Policia.

Ndaj të dyshuarit po kryhen procedurat për veprat “vrasje në tentativë” dhe “armëmbajtjes pa leje”, ndërkohë që hetuesit po punojnë në arrestimin e personit tjetër të dyshuar për veprën sulm, i cili është identifikuar dhe ndodhet në arrati./Arbresh.info