Arrestohen 20 serbë në Mal të Zi, dyshohen se sot planifikonin sulme të armatosura

16:06 | 16 Tetor 2016
M. A.

Policia malazeze ka arrestuar 20 persona, të dyshuar për planifikimin e sulmeve të armatosura gjatë zgjedhjeve parlamentare.

Vendi po përjeton tensione të mëdha në votimet e kësaj të diele, proces që do të përcaktojë nëse shteti ballkanik do të vazhdojë rrugën drejt Perëndimit, apo do të kthehet drejt aleatit tradicional, Rusisë.

Drejtori i Policisë, Slavko Stojanoviç deklaroi se të arrestuarit ishin shtetas serbë, të cilët, të pajisur me armë kishin planifikuar të sulmonin institucionet shtetërore, policinë dhe ndoshta zyrtarë të lartë të shtetit pas votimit.

Ata janë akuzuar për “formim të një organizate kriminale dhe terrorsite”. E ndërsa 20 u arrestuan, një tjetër person është në kërkim nga policia.

Po ashtu, në Malin e Zi ndihet frika se dhuna mund të shpërthejë nga çasti në çast në rrugët e Podgoricës, mes mbështetësve të opozitës dhe atyre të qeverisë. Votimet e kësaj të diele konsiderohen si testi më i fortë i qeverisjes 25-vjeçare të Gjukanoviçit.

Ndërkohë, flitet që në mesin e të arrestuarëve është edhe ish- komandanti i xhendarmërisë serbe, Bratislav Dikiq-Bata. Sipas informatave ende jozyrtare, ky grup ka përfituar nga Bratislav Dikiq, pasi ky ka investuar në Mal të Zi, sasi të madhe të armëve dhe eksplozivëve.

Dikiq i cili thuhet se ka kërkuar të quhet ‘’Legija II’’, u shkarkua nga detyra e tij pasi ishte pjesë e një organizate kriminale, e cila ishte përfshirë në tregtinë e kokainës, vrasje të paguara, grabitje dhe vepra të tjera penale.

Shpërndaje në rrjete sociale