ARKEP zvarrit dhënien e resurseve shtesë për shërbimet e 4G-së

11:08 | 8 Gusht 2015
M. A.

Asnjëri nga operatorët mobilë që operojnë në Kosovë zyrtarisht nuk ka brez frekuencor shtesë për të ofruar shërbimet e internetit mobil të shpejtë 4G. Kjo, pasi bordi i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), në krye me Ekrem Hoxhën nuk ka marrë vendim për caktimin e resurseve shtesë frekuencore që e ofrojnë këtë shërbim. ARKEP nuk ka dhënë detaje se kur do t’u epet licenca dhe pse është shtyre afati përsëri.

Përfaqësues të dy kompanive të telefonisë mobile Vala dhe Ipko nuk kanë dhënë përgjigje për këtë çështje.

Alban Kastrati, zyrtar për informim në Ipko tha se është në pushim dhe se edhe përfaqësuesit zyrtarë të kësaj kompanie ndodhen në pushim. Ndërsa përfaqësues të kompanisë publike Vala nuk kanë kthyer përgjigje e as që janë lajmëruar në telefon.

Në përgjigjen elektronike të ARKEP, thuhet se deri më sot ky autoritet nuk ka marrë vendim final për ndarjen e resurseve shtesë të brezit frekuencor.

“Zyrtarisht njoftoheni se deri më sot Autoriteti ende nuk ka marrë/nxjerrë vendimet finale për ndarjen/caktimin e resurseve shtesë frekuencore në brezin 1800 MHz dhe se këto vendime dhe gjitha aktet përcjellëse do bëhen publike në momentin e nxjerrjes së tyre ashtu si edhe përcaktohet me rregullat dhe procedurat e përcaktuara sipas Ligjit për Komunikime Elektronike dhe legjislacionin sekondar që e zbaton Autoriteti”, thuhet në përgjigjen e ARKEP-it.

Se nuk ofrohet ky shërbim nga Vala e Ipko e dëshmojnë edhe qytetarët. Leonard Boshnjaku, mendon se 4G mund të jetë i preferuar për bizneset por tregon që ai nuk mund ta përdorë se nuk është ky shërbim.

Edhe Edi Krasniqi, një qytetar tjetër, tregon se nuk i funksionon internet i shpejtë 4G, por vetëm 3G. Ai tha se do ta kishte përdorur 4G –në sikur ta ofronin operatorët mobilë.

Mungesa e anëtarëve të Agjencionit Kundër Konkurrencës mundëson edhe mashtrimet eventuale në tregun e telekomunikimeve dhe tregjet të tjera.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në konferencën e mbajtur për media ku prezantoi të arriturat për ambientin e të bërit biznes, është zotuar se në muajin shtator Qeveria do të bëjë përzgjedhjen e anëtarëve të këtij Komisioni, i cili është vlerësuar edhe nga Mustafa si shumë i rëndësishëm për vendin.

Shpërndaje në rrjete sociale