Aplikimi për anëtarësim në BE, Bislimi në takim me Varhelyin: Kosova më e përgatitur sesa vendet e rajonit në këtë proces

19:18 | 8 Dhjetor 2022

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka takuar sot në Bruksel Komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Përmes një komunikate të Kryeministrisë, bëhet e ditur se pjesë kyçe e këtij takimi ishte aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, që nga krerët e shtetit, është thënë se do të bëhet këtë muaj.

Bislimi ka deklaruar se, në këtë aspekt, institucionet e Kosovës kanë gatishmëri më të lartë sesa vendet tjera të rajonit.

“Zëvendëskryeministri Bislimi tha se niveli i përgatitjes dhe gatishmërisë së institucioneve tona është më i lartë se ai i vendeve të rajonit, në momentin e hedhjes së hapit formal të aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thuhet në komunikatë.

Zëvendëskryeministri theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar që ta vazhdojë rrugën drejt BE’së, përmes forcimit të politikave shtetërore.

“Ne jemi të përkushtuar të tregojmë me të gjitha kapacitetet tona, vullnetin për të ecur përpara drejt Bashkimit Evropian. Avancimi në rrugën drejt Bashkimit Evropian do të thotë edhe përforcim i institucioneve e ecja në trajektoren e progresit në sundim të ligjit, demokratizim, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, politikat sociale, zhvillim ekonomik, kohezion shoqëror e vendi ynë po bën pikërisht këtë”.

Komunikata e plotë:

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, takoi në Bruksel Komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Që vitin e kaluar, Kosova kishte lajmëruar institucionet e BE-së për vendimin për aplikimin për anëtarësim në BE brenda këtij viti dhe tani është momenti për të formalizuar dhe dorëzuar aplikimin. Zëvendëskryeministri Bislimi, e informoi Komisionerin Varhelyi mbi vendimin për aplikimin për anëtarësim në BE. Integrimi në Bashkimin Evropian është prioritet dhe synim strategjik për Republikën e Kosovës. Kemi angazhimin e përkushtimin e plotë në intensifikimin e përpjekjeve tona dhe vazhdimit të forcimit të kapaciteteve institucionale në këtë drejtim.

Kosova gjendet tashmë në vitin e gjashtë të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit. Zëvendëskryeministri Bislimi tha se niveli i përgatitjes dhe gatishmërisë së institucioneve tona është më i lartë se ai i vendeve të rajonit, në momentin e hedhjes së hapit formal të aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Shtetet anëtare dhe përfaqësues të institucioneve kryesore të BE-së, janë takuar dhe informuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Bruksel, ekipi i zyrës së zëvendëskryeministrit Bislimi dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës e poashtu dhe nga takimet bilaterale të nivelit të lartë. Procesi i integrimit duhet të vazhdojë të jetë meritor, me prioritet mbështetjen, progresin dhe një perspektivë mbi anëtarësimin e ardhshëm.

Ne jemi të përkushtuar të tregojmë me të gjitha kapacitetet tona, vullnetin për të ecur përpara drejt Bashkimit Evropian. Avancimi në rrugën drejt Bashkimit Evropian do të thotë edhe përforcim i institucioneve e ecja në trajektoren e progresit në sundim të ligjit, demokratizim, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, politikat sociale, zhvillim ekonomik, kohezion shoqëror e vendi ynë po bën pikërisht këtë. Raporti për Vendin 2022, riafirmon të arriturat në këto fusha, që përfshijnë dhe periudhën e parë të plotë të raportimit mbi qeverisjen Kurti II.

Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi Komisionerin Varhelyi për mikpritjen dhe bisedën e frytshme, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin dhe proceset e integrimit evropian të Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale