Analistët: Me veprime dhe aksione të tilla, Vetëvendosje ta harrojë pushtetin

????????????????????????????????????

01:04 | 2 Shtator 2015
M. A.

Aksionet dhe veprimet e fundit të Lëvizjes “Vetëvendosje” janë të papranueshme për Kosovën, vlerësojnë analistët politikë të vendit. Ata thonë se është e drejtë të protestohet dhe të kërkohet e drejta e tyre, por Lëvizja “Vetëvendosje” duhet të përmbahet nga kërcënimi i jetës dhe pronës.

Po ashtu, analistët veprimet e “Vetëvendosje” i shohin si zhvendosje e debatit, apo zhvendosja e fokusit jashtë institucioneve, si dhe një tentim që të përfitohet nga opinioni publik, por nuk është aspak e qartë se a do të rezultojë kjo me sukses apo jo.

Analisti politik, Halil Matoshi, ka thënë për “Zërin”, se protesta dhe performimi është një veprim i ligjshëm, por, sipas tij, Lëvizja “Vetëvendosje” duhet të përmbahet nga kërcënimi i jetës dhe i pronës.

Matoshi ka thënë se në këto ditët e fundit ka eskaluar një fjalor i frikshëm i aktivistëve të Lëvizjes “Vetëvendosje” të cilët sipas tij, po thirren në linçime e vrasje politike përmes një kinse revolucioni popullor.

Sipas Matoshit, veprimet e fundit të “Vetëvendosjes”, objektivisht janë autogola për këtë Lëvizje.

“Objektivisht këto janë autogola të LVV-së, sepse rejtingu i saj po bie në publik gjithnjë e më shumë, pikërisht për shkak të promovimit të dhunës”, ka thënë Matoshi.

Aksioni i sotëm i Lëvizjes “Vetëvendosje” është në stilin e veprimeve të tyre pasi që edhe në të kaluarën ka pasur qasje apo ka pasur raste kur e kanë shprehur pakënaqësinë në forma të tilla, është shprehur kështu për “Zërin”, analisti politik Artan Muhaxhiri.

Ai ka thënë se ajo çka ka ndodhur sot para Qeverisë së Kosovës është një lloj beteje e cila vërtet po zhvillohet me një nivel prej ku nuk mund të ketë ndonjë efekt konkret në politikë.

“Beteja duhet të zhvillohet në Parlament aty ku merren vendimet, ndërsa këto aksionet jashtë institucioneve politike e kanë efektin vetëm simbolik dhe vështirë se mund të ndryshojnë diçka në aspektin konkret. Është një tentim që të përfitohet nga opinioni publik, por nuk është aspak e qartë se a do të rezultojë kjo me sukses apo jo”, ka thënë Muhaxhiri.

Muhaxhiri ka thënë se një akt i tillë është ndërmarrë për shkak se derisa Kuvendi i Kosovës është në pushim dhe nuk mund të ketë ndonjë debat në Kuvend, duke shtuar se janë duke tentuar që ta kompensojnë mungesën e debatit në Kuvend me aktivitete të tilla.

“Kryesorja është zhvendosja e debatit apo zhvendosja e fokusit jashtë institucioneve derisa ato janë në pushim, por në fakt nuk ka asnjë garanci se çfarë efektesh finale do të ketë. Pra a do të ketë pozitive apo negative ne elektorat”, tha Muhaxhiri.

Muhaxhiri reagimin e Policisë e sheh jashtëzakonisht profesional, por pyet se çfarë do të ndodhë nëse prapë Qeveria i rivendos ato grila.

“Kjo është pyetja që ‘Vetëvendosje’ duhet t’ia parashtrojë vetes, pra a do të ketë një vazhdimësi të pafundme të vendosjes dhe heqjes së këtyre grilave edhe cili është kuptimi i një aksioni të tillë. Në fund të fundit është vetëm një tentim i marrjes së vëmendjes politike dhe mediale”, ka vlerësuar Muhaxheri.

Edhe analisti , Imer Mushkolaj, ka thënë se nuk është dashur që Lëvizja “Vetëvendosje” të bëjë veprime të tilla as të dhunshme e as ndonjë veprim që dëmtohet prona e shtetit, apo më mirë të thuhet prona publike.

“Natyrisht “Vetëvendosje” edhe çdokush tjetër ka të drejtë që të protestojë dhe është mirë që të protestohet si e drejtë demokratike, por jo të dëmtohet dhe jo të shkaktohet dhunë. Për shkak se edhe prej protestave të kaluara ne e kemi parë se dhuna pastaj në mënyrë zinxhirore ka shkaktuar edhe përfshirjen e Policisë edhe të protestuesve dhe në fund të ditës, humbës kanë qenë vetëm qytetarët për shkak se gjithçka ka përfunduar”, ka thënë Mushkolaj.

Mushkolaj ka shtuar se Policia e Kosovës tashmë i ka marrë masat për çdo rast nëse ndodh protestë më e madhe, nëse ndodh protestë gjithëpopullore.

“Unë edhe sot besoj se thjesht Policisë së Kosovës nuk i është dhënë urdhër që të reagojnë për shkak se ata kishin reaguar, por edhe këto masat që i ka ndërmarrë Qeveria për me i zgjatë grilat, së pari grilat s’do të duhej të ishin fare rreth Qeverisë dhe kjo s’diskutohet, por masat që janë ndërmarrë besoj se në njëfarë forme janë vazhdimësi e njëfarë droje të zotit Mustafa ndaj ‘Vetëvendosjes’, gjithçka çfarë ka të bëjë me ‘Vetëvendosjen’. I është kthyer në një lloj fobie ‘Vetëvendosja’”, ka thënë Mushkolaj. /zeri/

Shpërndaje në rrjete sociale