Aktorët duan të jenë 15 në teatrin “Dodona”, komuna jau premton vetëm pesë

12:05 | 9 Gusht 2020
A Z

Një grup aktorësh nga Prishtina kanë kërkuar të punësohen në Teatrin e  Qytetit të Prishtinës “Dodona”.

Ky grup ka kërkuar hapjen e konkursit për të pranuar 15 aktorë për themelimin e trupës rezidente që do të ngjallë më shumë aktivitetet në këtë teatër.

Aktori i njohur, Ilir Prapashtica, në emër të aktorëve kërkon që ta kenë një vend të punës ku mund të shprehin talentin e tyre.

“Ne po kërkojmë një vend të punës. Ai vend i punës është Teatri, kryesisht tash janë themeluar trupat rezidente të aktoreve rezident në teatrot e qyteteve. Vetëm në kryeqytet kjo ka ngecë për disa procedura ligjore”, tha Prapashtica për arbresh.info.

E aktorja Molikë Maxhuni po kërkon nga institucionet përkatëse vetëm të respektohet ligji, sipas së cilit duhet të jenë 20 aktorë të punësuar.

“Ne po kërkojmë të themelohet trupa rezidente e aktorëve dhe të funksionojmë edhe ne si çdo teatër tjetër në komunat tjera. Ne nuk po kërkojmë asgjë vetëm me u respektu ligji”, ka thënë ajo.

Maxhuni thotë se kryeqyteti, Prishtina duhet të ketë një status të veçantë me një numër më të madh të aktorëve.

Drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës Blerta Basholli tha për arbresh.info se Komuna e Prishtinës do të hapë konkurs vetëm për pesë aktorë.

“Meqenëse Teatri i Qytetit të Prishtinës “TQP Dodona”  i ka gjithsej 17 të punësuar, prej tyre 4 aktorë, na janë lejuar vetëm 5 pozita shtesë që të bëhen 22. Këshilli i Dodonës dhe Drejtori i Teatrit kanë vendosë që këto  5 pozita të lejuara të shfrytëzohen vetëm për aktorë rezident, gjë që do ta rriste numrin e aktorëve rezident në Teatrin e Qytetit të Prishtinës “TQP Dodona”  në 9 aktorë. Këtë e kam mbështetë edhe unë si Drejtore e Kulturës”, tha Basholli.

Basholli tha se pas takimit që ka pasur me aktorët i kanë kërkuar që të mos hapet konkursi vetëm për pesë aktorë ku sipas tyre ky numër nuk është i mjaftueshëm, dhe se duhet të kërkojmë më shumë pozita për aktorë resident për Qytetin e Prishtinës./arbresh.info/

https://www.facebook.com/arbresh.info/videos/772252086851878

Shpërndaje në rrjete sociale