AKP-ja zvogëlon numrin e uzurpatorëve, vetëm edhe tre në Mitrovicë të Veriut

09:40 | 21 Korrik 2018

Drejtues të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) thonë se nga qindra prona të uzurpuara në të gjithë Kosovën kanë mbetur vetëm tri në veri të Mitrovicës.

Duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), në Kosovë kanë mbetur vetëm edhe tri lokale të uzurpuara, përkatësisht në veri të Mitrovicës.

Që nga aksioni për lirimin e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore nga shfrytëzuesit e paligjshëm zyrtarë të AKP-së thonë se kanë marrë nën administrim rreth 600 asete në pronësi shoqërore, si dhe 60 të tjera në pjesën veriore të Mitrovicës.

Në AKP paralajmërojnë masa të rrepta për shfrytëzuesit e paligjshëm të pronave shoqërore deri në dëbim me urdhra të Policisë së Kosovës (PK).
Ylli Kaloshi, zëdhënës për Informim në këtë institucion, në një përgjigje me shkrim për gazetën “Zëri” ka sqaruar se AKP-ja e ka shtrirë autoritetin administrativ edhe në pjesën veriore, ku janë marrë në administrim rreth 60 asete prona ndërmarrjesh shoqërore.

“Agjencia Kosovare e Privatizimit që nga marrja e vendimit për lirimin e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore nga shfrytëzues të paligjshëm ka arritur të marrë nën administrim rreth 600 asete në pronësi shoqërore. AKP-ja ka shtrirë autoritetin e saj administrativ edhe në Mitrovicë, në pjesën veriore, ku deri më tani janë marrë nën administrim 60 asete, prona të ndërmarrjeve shoqërore”, thuhet në përgjigjen me shkrim të institucionit.

Ndërkohë, tri lokalet që figurojnë si të uzurpuara në Mitrovicën Veriore premtohet se do të lirohen së shpejti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara