Agim Veliu ka bërë një thirrje të hapur për reformim të menjëhershëm të Degës së LDK-së në Podujevë, duke e vlerësuar se dega po përjeton një krizë të thellë politike dhe organizative.
Në deklaratën e tij publike, Veliu thekson se pesë humbjet rresht të LDK-së në Podujevë janë pasojë e udhëheqjes së një kryetari “të komanduar”, i cili sipas tij ka humbur besimin e anëtarësisë dhe nuk ka marrë përgjegjësi për rezultatet e dobëta.
Postimi i plotë:
Thirrje për reformim të menjëhershëm të Degës
Të nderuar qëndrestarë, anëtarë dhe simpatizantë të LDK-së,
Gjërat të thuhen hapur.
Dega e LDK-së në Podujevë ndodhet në krizë të thellë politike dhe organizative. Pesë humbje rresht janë pasojë direkte e një kryetari të komanduar që ka humbur besimin e anëtarësisë, pa marrë asnjëherë përgjegjësi.
Për më shumë se 30 vite Dega jonë ka qenë shembull i organizimit dhe fitoreve, ndërsa për mbi 20 vite qytetarët ma kanë besuar pesë herë drejtimin e Komunës.
Kjo tregon se partia di të fitojë kur respektohen parimet, demokracia e brendshme dhe baza e saj.
Pas largimit tim dhe marrjes së kompetencave të kryesisë, me një vendim kundërstatutor dhe të padrejtë, Degës i janë imponuar vendime të mbyllura, përjashtuese dhe pa legjitimitet.
Rezultati është i qartë:
humbje, demotivim dhe largim i anëtarësisë.
Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare, Dega e LDK-së në Podujevë nuk është e përfaqësuar me deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Prandaj, sot bëj thirrje të hapur dhe publike për ndryshime të menjëhershme në Degën e LDK-së në Podujevë.
Në këtë situatë është e domosdoshme:
• Marrje përgjegjësie politike për dështimet e njëpasnjëshme.
• Hapje e Degës ndaj anëtarësisë, jo drejtim i mbyllur dhe i kapur nga interesa personale.
• Zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente, pa imponime dhe pa lista të parapërgatitura.
• Rikthim i unitetit, meritokracisë dhe respektit për kontributin e secilit.
Kjo është thirrje për shpëtim politik të LDK-së.
Heshtja dhe nënshtrimi përballë dështimit vetëm sa e thellojnë krizën dhe e largojnë partinë nga qytetarët.
Duke u angazhuar për proces transparent zgjedhor, nuk kërkoj privilegje, por shpreh gatishmërinë të kontribuoj me përvojën time politike në funksion të reformimit, unitetit dhe rikthimit të besimit të humbur.
Partia nuk i përket një individi, apo një grupi të vogël.
LDK është e anëtarëve dhe votuesve të saj.
Nëse nuk ndryshojmë tani, humbjet vetëm do të vazhdojnë./Arbresh.info
Arrestimi i zyrtarëve komunalë, Rama ofron bashkëpunim të pl...
Haxhiu kërkon që të hetohet edhe kreu i KQZ-së e deri te çdo...
Trump synon të ndërtojë një bazë të CIA-s në Venezuelë
Alcaraz arrin për herë të parë në karrierë gjysmëfinalen e A...
Arrestohen tre zyrtar komunal në Prishtinë, Prokuroria jep d...
Vrasja e taksistit shqiptar në Belgjikë, arrestohen dy të ri...