Abdixhiku: Një hap më afër Kartonit të Gjelbër

15:33 | 7 Qershor 2018
V. S.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa, Lumir Abdixhiku, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe bashkatdhetarët.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”, Abdixhiku ka bërë të ditur se Kosova është një hap më afër Kartonit të Gjelbër.

Postimi i plotë:

Një hap më afër Kartonit të Gjelbër;
Austria mund ta mbulojë Kosovën.

Sapo përfunduam një takim të shkëlqyeshëm me përfaqësuesit e lartë të ‘Uniqua Austria’, mbi mundësinë e mbulimit të Kosovës nga shteti i Austrisë. Mbulesa nga shteti i Austrisë do të nënkuptonte se qytetarët e Kosovës mund të pajisen me Karton të Gjelbër në Kosovë; e diaspora jonë nuk do të paguante miliona euro sigurim sa herë që vijnë këndej – siç kanë bërë tash e 20 vjet.

Na konfirmuan gatishmërinë për mbulesë. Aranzhuam një takim të dytë në Vjenë me përfaqësuesit e Byrosë Austriake për të finalizuar këtë bashkëpunim. Në takim isha bashkë me Guvernatorin e Bankës Qendrore – iniciues i takimit; Byronë Kosovare të Sigurimeve dhe përfaqësuesit e Qeverisë.

Kujtoj se Komisioni që udhëheq ka nisur iniciativën e zgjidhjes së këtij problemi shumëvjeçar. Së fundmi, Parlamenti i Kosovës ka autorizuar Komisionin tonë që t’i koordinojë të gjitha aktivitetet e institucioneve të Kosovës për të gjetur një zgjidhje. Jemi në hapa të mirë./arbresh.info/