​Pas të dielës, qytetarët e Drenasit presin ditë më të mira

14:21 | 18 Dhjetor 2016
M. A.

Qytetarët e Drenasit, të cilët sot u panë në qendra të votimeve duke kryer obligimin e tyre qytetarë në zgjedhjet për të parin e Komunës, thanë se shpresojnë në ndryshime.

Mirëpo, disa prej tyre shprehen të zhgënjyer në lidhje me procesin zgjedhor dhe kandidatët, ngase thonë se çfarëdo që të jenë rezultatet prapëseprapë nuk do të ketë ndryshime për të mirën e qytetarëve.

Kështu e mendon edhe, Agron Llugani, një nga qytetarët e intervistuar nga KosovaPress, i cili tha se më mirë është që secili prej nesh të punojë për vetën e tij se sa të pres për ndryshime nga kryetarët e komunave.

“Presim ndryshime. E voton gjithkush atë që e don, kaq…Nuk o ndryshim edhe shumë i madh por si zakonisht. Unë për vete të përmirësuar e kam jetën. I ftoj qytetarët normal të punojnë vet”, tha ai.

Kurse, Sahit Kurrumeli, qytetar nga Drenasi thotë se shpreson që do të ketë ndryshime dhe do të jetë një jetë më të mirë për qytetarët e kësaj komune.

“Po presim punë, me punu më mirë se që kanë punu deri më tani. Duhet t’i lënë fjalët krejt dhe duhet me punu. Pa punë nuk ka kurrgjë. Nuk vjen kurrgjë nga qielli…presim më mirë… duhet me u bashku…duhet me punu drejtë… Kanë punu deri dikun po nuk kanë mundur bash. Po mbajmë ‘ymyt’ që këta punojnë më mirë. Më pak kanë punu se s’kanë pas mundësi. Edhe këta kanë punu, por besoj që këta do të punojnë më mirë”, tha ai.

Isuf Lladrovci, më i moshuari i fshatit Gllanasellë, i cili pasi që ka dalur për të votuar, tha se është i bindur që pas këtyre zgjedhjeve Drenasi vetëm përpara do të ec.

Kurse, qytetari Sabit Lladrovci tha se shpresa i ka mbajtur gjithë dhe nisur edhe nga këto zgjedhje presin kushte më të mira.

“Diçka më të mirë. Shpresa na ka mbajtur. Presim infrastrukturë më të mirë, rrugë më të mirë, shkollim, punësim. Të gjitha me shpresë”, tha ai.

Shpërndaje në rrjete sociale