Në kohë të vështira, kur e ardhmja duket e pasigurt, individët, por edhe bizneset priren që të mos shpenzojnë dhe të kursejnë sa më shumë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë bëjnë të ditur se kjo tendencë po reflektohet edhe në Shqipëri.
Statistikat tregojnë se totali i depozitave shënoi në qershor rritje për të dytin muaj radhazi, duke arritur në gati 1.06 trilionë lekë, ose 8.5 miliardë euro, me një zgjerim prej 0.5%, ose 45 milionë euro më shumë, në krahasim me muajin e mëparshëm.
Rritja në qershor ka ardhur pothuajse tërësisht nga kursimet në lekë, ndërsa ato në valutë kanë shënuar një përmirësim minimal.
Ndërsa kursimet në lekë janë zgjeruar si rrjedhojë e rritjes së depozitave pa afat të bizneseve, që u rritën me gati 7% me bazë mujore. Ekspertët shpjegojnë se ndalimi i transferimit të fitimeve për disa sektorë, por edhe frenimi i investimeve si rrjedhojë e situatës, po bëjnë që bizneset të mbajnë likuiditetet në banka.
Në rritje, ndonëse me ritme më të ulëta, ishin dhe kursimet e individëve pa afat në lekë, që u zgjeruan me rreth 1% me bazë mujore.
Në krahasim me një vit më parë, totali i depozitave të bizneseve dhe individëve në të gjitha monedhat është rritur me 6.1%, ose rreth 500 milionë euro. Një vit më parë, shtesa ishte rreth tre herë më e ulët (rreth 170 milionë euro).
Ndonëse monedha zyrtare është leku, euro mbetet e preferuara e kursimtarëve. Në fund të qershorit, depozitat në valutë përbënin 46.4% të totalit, pothuajse e pandryshuar në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë, siç shihet nga grafikët, tregojnë për një zgjerim të fortë të kursimeve në mars, por kjo është e lidhur më shumë me forcimin e monedhës së përbashkët në fund të muajit mars, çka rriti artificialisht depozitat në euro në mars, pasi ato raportohen në lekë./monitor
Çfarë është Delta Force? Njësia elitare sekrete amerikane që...
Drejt përfundimit rruga Shkodër–Mal i Zi/ Rama: Investim që ...
KQZ vazhdon numërimin e votave nga diaspora, janë numëruar 4...
Deri në dy orë pritje në Merdarë për të dal nga Kosova
Qëndrim Ismajli njofton largimin nga Tirana
Kurti mori pjesë në mbledhjen komemorative për poetin Rushit...