Zelensky kërkon hetim ndërkombëtar për Rusinë

10:35 | 1 Mars 2023
Vjollca Gajraku

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky po bën presion që të gjithë ata që janë përfshirë në pushtimin rus të vendit të tij, përfshirë organizatorët e luftës, të shpallen fajtorë përpara një gjykate ndërkombëtare.

“Ne do të çmontojmë të gjithë këtë sistem gjenocidal rus… dhe do t’i çojmë ata përpara drejtësisë”, tha Zelensky në fjalimin e tij të përditshëm me video, pas një takimi me Kryeprokurorin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) Karim Khan në Kiev.

Ndërsa pranoi se kjo nuk do të ishte një detyrë e lehtë, presidenti ukrainas tha se “përgjigjja ndaj krimeve ruse përballë këtij agresioni pikërisht në aspektin e shtetit të së drejtës dhe pikërisht me fuqinë e një gjykate ndërkombëtare do të shërbejnë si të tilla për të garantuar një siguri afatgjatë për të ardhmen e Ukrainës dhe të vendeve të tjera”.

”Pushtimi rus i Ukrainës në mënyrë të pashmangshme duhet të ketë pasoja ligjore për të gjithë ata që e planifikuan, e miratuan dhe e zbatuan”, tha Zelensky.

Kryeprokurori i GJNP-së Khan tashmë po heton situatën në Ukrainë.

Hetimet mund të mbulojnë krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin.

Megjithatë, aktualisht nuk është e mundur që ICC të ndërmarrë veprime kundër udhëheqjes ruse, përfshirë presidentin Vladimir Putin, sepse as Rusia dhe as Ukraina nuk janë palë në Statutin e Romës, i cili është baza ligjore për gjykatën.

Kjo është një nga arsyet pse Zelensky bëri thirrje për një gjykatë speciale në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator./atsh

Shpërndaje në rrjete sociale