Departamenti amerikan i Drejtësisë ka arritur një marrëveshje me prodhuesin gjerman të makinave, Volkswagen, lidhur me akuzat për anashkalim të standarteve amerikane të ndotjes që shkaktojnë makinat me naftë. Komentet i bëri Prokurorja e Përgjithëshme e Shteteve të Bashkuara, Loretta Lynch.
“Në bazë të marrëveshjes, Volkswagen po pranon fajin për tre vepra penale: konspiracion për të mashtruar Shtetet e Bashkuara, mashtrim në transferimin e parave dhe shkelje të Aktit për Ajrin e Pastër; pengim të drejtësisë dhe importim mallrash përmes dekleratave të rreme.”
Prokurorja e Përgjithëshme e Shteteve të Bashkuara, Loretta Lynch, tha të mërkurën se Volkswagen ka rënë dakord të paguajë 4 miliard dollarë në dënime penale dhe civile dhe të marrë masa për të parandaluar shkelje në të ardhmen.
Këto u shtohen marrëveshjeve të njoftuara më parë prej më shumë se 15 miliard dollarë. Kompania Volkswagen ka pranuar se instaloi programe kompjuterike që anashkalojnë testin e ndotjes në rreth 11 milion makina me naftë të shitura në mbarë botën.
Gjatë testimit të makinave për ndotjen, programi kompjuterik anashkalonte rezultatin e vërtetë të ndotjes nga djegia e naftës. Këto makina faktikisht shkaktonin ndotje deri 40 herë më shumë nga niveli i lejuar në bazë të ligjit.
“Që të jemi të qartë, Volkswagen i dinte këto probleme dhe, kur rregullatorët shprehën shqetësime, Volkswagen i hodhi poshtë dhe gënjeu.” – tha zonja Lynch.
Zonja Lynch tha se janë paditur gjashtë drejtues të lartë të kompanisë Volkswagen në lidhje me skandalin i njohur si “Dieselgate”, përfshi Oliver Schmidt që drejton zyrën e inxhinierisë dhe mjedisit i cili u arrestua të shtunën në Shtetet e Bashkuara.
Në bazë të marrëveshjes, Volkswagen do të duhet të punësojë një vëzhgues të pavarur për të mbikëqyrur programin e kompanisë për etikën dhe zbatimin e rregulloreve, që të bashkëpunojë plotësisht me hetimet në vazhdim. Kompania do të jetë në provë për tre vjet.
Kuvendi sot mban seancë të veçantë në shenjë nderimi për Rex...
Moti sot me diell dhe vranësira të shpërndara
Përplasje të orëve të fundit, VV i kërkon tre emra, LDK i nx...
Federico Dimarco në histori të Serie A, vendos rekord unik p...
Vrasja e trefishtë në Gjilan, të dyshuarit ende në arrati, I...
Dielli hap javën nesër, temperaturat deri në 21°C