Vendet e pasura kanë marrë 80 përqind të vaksinave, vendet e varfëra 0.3 përqind

23:21 | 7 Maj 2021

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka vlerësuar se fëmijët nuk duhet të vaksinohen kundër Covid-19, derisa të vaksinohen të moshuarit dhe grupet në rrezik në të gjitha vendet.

“Ne duam të përsërisim se përparësia duhet të jetë që të gjtha vendet të marrin vaksinën, sidomos grupet që janë më në rrezik”, tha Kate O’Brien, drejtoresha e OBSH-së për imunizimin dhe vaksinimin, transmeton portali arbresh.info

Paralajmërimi vjen pasi Kanada miratoi vaksinën Pfizer dhe BioNTech për adoleshentë nga 12 vjeç e tutje, duke u bërë vendi i parë që e bën këtë.

Shtetet e Bashkuara pritet të bëjnë të njëjtën gjë javën e ardhshme dhe Gjermania ka njoftuar se do të ofrojë vaksinën për këdo mbi moshën 12 vjeç deri në fund të gushtit.

Zgjatja e fushatës së vaksinimit tek adoleshentët në vendet më të pasura mund të rrisë pabarazinë në shpërndarjen e vaksinave, të cilat OBSH i ka kritikuar vazhdimisht.

“Sapo vaksinat të shpërndahen në një mënyrë të përshtatshme dhe të barabartë – në mënyrë që secili vend të marrë vaksina të mjaftueshme për grupet përparësore, ne do të mirëpresim fuqimisht dhënien e vaksinave brezave të rinj,” tha O’Brien, raporton France Presse.

Udhëheqësi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus, u ka bërë thirrje vendeve anëtare të G&-tës t’i japin përparësi absolute aksesit të barabartë, duke theksuar se situata aktuale është e papranueshme.

“Gjëja më e rëndësishme që na duhet tani janë vaksinat, barazia në vaksinim,” tha ai, duke shtuar se pandemia po vazhdon të marrë qindra mijëra jetë njerëzish.

“Ne të gjithë e dimë se çfarë duhet të bëhet për të rritur kapacitetin e prodhimit dhe kështu imunizimin në të gjitha shtetet,” tha udhëheqësi i OBSH-së.

Ai vuri në dukje se “më shumë se 80 përqind të dozave të vaksinave” u dhanë në vendet më të pasura, ndërsa më të varfrit morën vetëm 0.3 përqind.

“Ky lloj hendeku është i papranueshëm”, tha ai./arbresh.info/

Lajmet më të lexuara