Vazhdon edhe sot seanca për rastin “Banjska”

07:41 | 13 Qershor 2025
E.K

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, sot pritet të vazhdojë seanca gjyqësore për rastin “Banjska”.

Zëdhënësja e gjykatës, Mirlinda Gashi, ka konfirmuar se seanca do të nisë në orën 09:30.

Deri më tani, kanë dëshmuar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, përfshirë Avni Shalën, Elez Pecin, Mirsad Kryeziun, Çlirim Shaqirin dhe Alban Rashitin.

Aktualisht, tre persona ndodhen në paraburgim dhe po gjykohen për këtë rast: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq. Ndërkohë, 42 të akuzuar të tjerë – përfshirë edhe Milan Radojçiqin, i cili publikisht e pranoi se e kishte udhëhequr sulmin – janë në arrati.

Më 11 shtator 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave, me në krye Milan Radojçiqin, nën akuzat për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të tjera të rënda penale.

Kosova ka kërkuar zyrtarisht ekstradimin e Radojçiqit dhe të tjerëve të përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, por deri më tani, asnjëri prej tyre nuk është dorëzuar. Ata figurojnë në listën e kërkimit të INTERPOL-it, ndërsa presioni ndërkombëtar ndaj Serbisë për t’i dorëzuar autoritetetve të Kosovës vazhdon të rritet./Arbresh.info