Presidenti amerikan Donald Trump tha të martën se po shqyrton dërgimin e një aeroplanmbajtëseje të dytë në Lindjen e Mesme, ndërkohë që Uashingtoni dhe Teherani po përgatiten të rifillojnë negociatat për të shmangur një konflikt të ri.
Bisedimet e ndërmjetësuara nga Omani javën e kaluar, sipas Ministrisë së Jashtme iraniane, i kanë dhënë Teheranit mundësinë të vlerësojë seriozitetin e SHBA-së dhe kanë krijuar konsensus për vazhdimin e diplomacisë.
Trump paralajmëroi se nëse nuk arrihet marrëveshje, SHBA do të duhet të bëjë “diçka shumë të fortë”. Ai konfirmoi gjithashtu se po konsideron dërgimin e një aeroplanmbajtëseje të dytë në rajon.
Zyrtarë amerikanë i thanë Reuters se USS George Washington, USS George H.W. Bush ose aeroplanmbajtësja Ford janë opsionet më të mundshme, por secila ndodhet të paktën një javë larg Lindjes së Mesme.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, tha se pas takimeve ka pasur mirëkuptim për vazhdimin e procesit diplomatik. Ai shtoi se vizita në Oman e Ali Larijanit, këshilltar i liderit suprem Ali Khamenei, ishte e planifikuar dhe se ai do të udhëtojë më pas në Katar.
Një analizë e Reuters tregoi rritje të pranisë ushtarake amerikane në rajon, përfshirë vendosjen e raketave në lëshues të lëvizshëm në bazën al-Udeid në Katar.
SHBA po kërkon zgjerimin e negociatave përtej çështjes bërthamore, duke përfshirë programin balistik iranian, por Teherani thotë se arsenali i raketave nuk është i negociueshëm.
Irani kërkon heqjen e sanksioneve financiare dhe këmbëngul në të drejtën për pasurim uraniumi, ndërsa Uashingtoni kërkon që Teherani të heqë dorë nga rezervat e uraniumit të pasuruar deri në 60%.
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance tha se presidenti Trump do të vendosë vijat e kuqe në negociata. Irani dhe SHBA zhvilluan pesë raunde bisedimesh vitin e kaluar, të cilat u ndërprenë për shkak të mosmarrëveshjeve mbi pasurimin e uraniumit./ Burimi: Reuters