ShBA-ja reagon ndaj sulmit në Somali, vret katër terroristë të Al Shabab-it

08:28 | 30 Dhjetor 2019
A Z

Forcat amerikane njoftuan se kanë kryer sulme ajrore në Somali dhe i kanë vrarë katër terroristë të grupit militant “Al-Shabab”, pas vrasjes së 79 personave me një veturë bombë në kryeqytetin somalez, Mogadishu.

“Në bashkëpunim me qeverinë federale të Somalisë, Komanda e Forcave Amerikane për Afrikës i ka kryer tri sulme ajrore në dy lokacione, ku cak ishin militantët e grupit Al Shabab”, thuhet në deklaratën e ushtrisë amerikane.

Shkalla e sulmeve amerikane në Somali u rrit ndjeshëm pasi presidenti Donald Trump e shpalli pjesën jugore të këtij shteti si zonë e armiqësive aktive.

Në një deklaratë të publikuar në prill të këtij viti, forcat amerikane në Afrikë thanë se i kanë vrarë më shumë se 800 persona në 110 sulme ajrore në Somali prej prillit të vitit 2017.

Përgjegjësinë për sulmin e së shtunës në Bogadishu ende nuk e ka marrë asnjë grup, por qyteti vazhdimisht goditet nga shpërthimet e organizuara nga grupi “Al-Shabab”.

Ky grup ishte larguar me forcë nga kryeqyteti në vitin 2011, por ende i ka nën kontroll disa zona rurale, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Shpërndaje në rrjete sociale