Rusia përjashton Vatikanin: Nuk mund të jetë vendi i duhur për negociatat e paqes Moskë–Kiev

07:19 | 24 Maj 2025
E.K

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, hodhi dyshime mbi Vatikanin si një vend i mundshëm për bisedimet e paqes me Ukrainën.

Kremlini tha se ende nuk është marrë asnjë vendim për vendin ku mund të mbahet raundi i ardhshëm i bisedimeve për t’i dhënë fund konfliktit që zgjat më shumë se tre vjet, pasi Moska dhe Kievi u takuan për bisedime në Stamboll javën e kaluar.

“Do të ishte paksa e pahijshme që vendet ortodokse të diskutonin, në tokë katolike, çështjet që lidhen me eliminimin e shkaqeve rrënjësore të konfliktit,” tha Lavrov, duke akuzuar Kievin për shkatërrimin e Kishës Ortodokse të Ukrainës.

Ai shtoi se për vetë për Vatikanin nuk do të ishte komode që në rrethana të tilla, të priste delegacione nga vendet ortodokse.

Moska ka pasur marrëdhënie të tensionuara me Selinë e Shenjtë për shekuj me radhë dhe asnjë papë nuk e ka vizituar Rusinë.

Italia konfirmoi se Papa Leoni XIV ishte gati të priste bisedimet e paqes pasi lideri amerikan Donald Trump sugjeroi Vatikanin si një vend të mundshëm për ato negociata. Moska tha se vendi i takimit nuk mund të merret vetëm nga njëra palë.

“Na duhet marrëveshje dypalëshe,” theksoi Kremlini. “Për momentin nuk ka asnjë vendim apo marrëveshje për vendin e negociatave të ardhshme,” u tha gazetarëve zëdhënësi Dmitry Peskov, duke shtuar se një vendim i tillë do të merret kur të vijë koha e duhur.

Ndërkohë këtë të premte u zhvillua shkëmbimi më i madh i të burgosurve, një mijë nga secila palë, mes Ukrainës dhe Rusisë. Lajmi u konfirmua edhe nga presidenti amerikan Trump. /rtsh

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme