Prodi: Roma duhet të bashkëpunojë me Rusinë

21:18 | 5 Shkurt 2017
Trina Galanxhi

Ish-kryeministri italian Romano Prodi tha se perspektivat e Rusisë për të marrë pjesë në samitin G7 që pritet të mbahet në muajin maj janë rritur dhe pritet që gjatë takimit me Presidentin Donald Trump, të stabilizohen marrëdhëniet mes dy vendeve.

Sipas Romano Prodit, Italia duhet të shfrytëzojë këtë mundësi dhe të kthejë bashkëpunimin me Rusinë, transmeton portali arbresh.info.

“Mendoj se qëllimi i Italisë në G7 është të bëjë gjithçka të mundshme për kthimin gradual të Rusisë. Arsyeja kryesore është rivendosja e marrëdhënieve me Rusinë, që tani është një domosdoshmëri për të marrë një pozicion të qartë karshi Amerikës”, ka thënë për gazetën italiane Messaggero.

G8 është kthyer në G7, pasi vendet perëndimore e kanë akuzuar Rusinë për ndërhyrje në krizën e Ukrainës gjatë vitit 2014.

Angelino Alfano, ministri i jashtëm i Italisë, e cila aktualisht mban kryesinë e grupit G7 ka shprehur nevojën për të përmisuar marrëdhëniet me Rusinë, madje ka theksuar që G7-ta të kthehet në G8./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale