Lulëzon trafikimi i veshkave

21:18 | 15 Tetor 2015
M. A.

Në Bangladesh, në zona rurale të varfra, shitja e veshkave po shihet si mundësi për t’i dhënë fund fukarallëkut. Dhënësit e këtij organi shpesh më pas po përfundojnë si ndërmjetës të këtij trafikimi të paligjshëm, i cili është bërë shumë fitimprurës.

E mbytur në borxhe, Rawshan Ara ka vendosur ta nxjerrë familjen e saj nga fukarallëku. Këtë do ta arrijë duke e shitur veshkën, një trafik ky që ka lulëzuar në Bangladesh. Sikur edhe shumë fqinj të një zone rurale të varfër, kjo grua 28 vjeçe ka gjetur pa kurrfarë problemi një ndërmjetësues për të fituar pak para në shkëmbim me organin e saj.

Nënë e një fëmije, ajo tregon se motra dhe dhëndri ia kanë tërhequr vërejtjen që të mos i hyjë një operacioni të tillë në shkurt, pasi ata vetë kanë pasur komplikime pasi i janë nënshtruar një ndërhyrjeje të ngjashme dy vjet më parë. “S’mund ta duroja më varfërinë”, thotë kjo grua nga zona e Kalait, 300 km në veriperëndim të Daccas, një rajon që është bërë qendra e këtij trafiku, shkruan sot gazeta “Zëri”..

“Burri im është i sëmurë i përjetshëm. Shkollimi i vajzës kushton shtrenjtë. Kam shkuar në Dacca për të punuar në tekstil ose si amvise. Mirëpo, pagat janë të mjerueshme”, thotë ajo duke mos pranuar të tregojë se kush ishte ndërmjetësuesi. Policia, ndërkaq, ka një rrëfim krejt ndryshe për rastin. Ajo dyshon se të afërmit e kanë shtyrë këtë grua të operohet dhe t’i përkasë këtij rrjeti, që ka marrë hov, të ndërmjetësve të shitësve dhe blerësve të organeve. Këta të fundit përfitojnë goxha mirë nga secili rekrutim.

“Vetëm gjatë këtij viti 40 banorë të Kalait kanë shitur veshkat e tyre”, thotë shefi i Policisë lokale, Sirajul Islam, për AFP-në. Ndërsa, numri i banorëve që kanë ndërmarrë një veprim të tillë shkon në 200 që nga viti 2005.

Dymbëdhjetë të tjerë konsiderohen të zhdukur. Dyshohet se ata kanë shkuar në Indi për t’u operuar.

“Ata që kanë shitur veshkën bëhen pastaj ndërmjetësues në këtë rrjet të gjerë të trafikimit të organeve”, thotë polici. “Këta agjentë vënë së pari në shënjestër familjen e tyre, të afërmit e pastaj edhe banorët e fshatit”.

Rreth tetë milionë bangladeshas vuajnë nga dështimi i veshkave dhe gjatë një viti së paku 2.000 kanë nevojë për transplantim.

Mirëpo, në Bangladesh dhurimi i organeve lejohet me ligj vetëm ndërmjet familjarëve dhe në rast të mungesave të mëdha.

Në këtë situatë është zhvilluar një tregti “në të zezë”, tejet fitimprurëse, e cila ushqehet nga blerësit e pashpresë dhe dhënësit që janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për të dalë nga varfëria.

“Nga ky biznes po pasurohen shumë njerëz me ndikim”, thotë Mustafizur Rahman, një nefrolog bangladeshas. Që nga shpartallimi më 2011 i një rrjeti të gjerë që përfshinte mjekë, infermierë dhe klinika, shumica e ndërhyrjeve kryhen në Indi.

“Personat me ndikim, të përfshirë në këtë trafik veshkash, përgatisin pa vështirësi dokumentet e nevojshme sidomos pasaporta false dhe letërnjoftime false për të lehtësuar këto transplantime ilegale”, thekson Mustafizur Rahman.

Kështu ka ndodhur edhe me Aran. Asaj i është siguruar një pasaportë dhe letërnjoftim fals pasi testet e gjakut kanë konfirmuar përputhshmërinë me përfituesin. “Ata ma ndërruan emrin në Nishi Akter, emri i kushërirës së pacientes që do t’i vihej veshka ime. Ata më thanë që duhet bindur klinikën indiane ku mjekët ma hoqën veshkën”, shton ajo.

E terrorizuar dhe e vetme, ajo e kaloi kufirin për t’u operuar. “Ditën e operacionit jam tharë nga frika. I lutesha Allahut të gjithëfuqishëm vazhdimisht”. Ara ka marrë 4.500 dollarë të cilat i ka shpenzuar për të marrë me qira toka, ku do të mbillte patate dhe oriz. Po ashtu, ajo i ka paguar shkollimin vajzës 13 vjeçe, e cila dëshiron të bëhet mjeke.

Mirëpo, ky operacion kishte një çmim: ajo s’mundet më të ngrejë objekte të rënda, lodhet shpejt dhe shpesh nuk ngihet frymë. “Shitja e veshkës ishte një gabim i madh. Sot kam nevojë për ilaçe të shtrenjta për të qenë në formë”, thotë ajo.

Në fakt, secila familje e Kalait e njeh dikë që ka përjetuar traumatizëm të ngjashëm.

Shumica vuajnë nga probleme shëndetësore të shkaktuara nga moskujdesi i duhur pas operacionit dhe nuk mund të punojnë më në fushë. Disa bëhen ndërmjetësues, duke futur në xhep deri në 3.000 dollarë për çdo rekrutim, thotë polici Sirajul Islam.

“Një dhënës mund ta bindë shumë lehtë një shitës potencial, i cili nuk humb kurrgjë nëse e shet veshkën”, thotë Moniruzzaman Monir, hulumtues në Michigan State University, i cili e ka hulumtuar për kohë të gjatë çështjen në Kalai. “Po ashtu, edhe ai vetë do të futet në ‘success-story’”, shton ai.

Muajin e kaluar, Policia ka arrestuar nja dhjetë persona në Kalai dhe Dacca, në mesin e të cilëve edhe një dhënës, i cili është shndërruar në “boss” të këtij trafiku, shkruan gazeta “Zëri”.

Ky operacion është ndërmarrë pas krimit të një bande, e cila ia ka marrë veshkën një djali gjashtëvjeçar, para se ta hidhte trupin e tij në një pus. Autoritetet po ashtu kanë nisur një fushatë për të tërhequr vërejtjen nga rreziqet e shitjes së veshkës, duke shpërndarë fletushka nëpër shtëpi, shkolla dhe medresetë e rajonit.

Mirëpo, të shumtë janë ata në Kalai që thonë se asgjë nuk do të ndryshojë, duke pasur parasysh mosefikasitetin e sistemit gjyqësor.

Abdus Sattar, i dyshuar të ketë organizuar trafikimin dhe i cili është arrestuar më 2011, e ka rinisur “biznesin” e tij, thonë banorët e rajonit. “Hetimet kundër trafikimit përparojnë me hapa breshke. Përderisa kundër ndonjërit prej krerëve nuk do të ketë një dënim që do të ishte shembull, ky trafik nuk do të ndalet”, vlerëson hulumtuesi Monir. /Zëri/

Shpërndaje në rrjete sociale