Koreja e Veriut ka testuar sistemin e tij të armëve nënujore bërthamore, në shenjë proteste ndaj stërvitjeve të përbashkëta ushtarake që këtë javë kanë mbajtur Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe Japonia, raportoi media shtetërore KCNA.
Testimi i sistemit “Haeil-5-23”, emrin që Koreja e Veriut ua ka vendosur dronëve sulmues nënujorë me kapacitete bërthamore, u krye nga një grup ekspertësh i Ministrisë së Mbrojtjes. Testimi u krye në ujërat afër bregdetit lindor verikorean, tha KCNA-ja, pa dhënë detaje se kur ndodhi kjo ngjarje.
Një zëdhënës i paidentifikuar i Ministrisë së Mbrojtjes akuzoi SHBA-në, Korenë e Jugut dhe Japoninë se po bëhen “të papërmbajtshme” me stërvitjet ushtarake, duke paralajmëruar për “pasoja katastrofike”.
Marinat e tri shteteve kanë mbajtur stërvitje të rregullta treditore, që përfunduan të mërkurën. Në stërvitje mori pjesë edhe aeroplanmbajtësja amerikane, Carl Vinson. Stërvitjet u mbajtën si pjesë e përpjekjeve për të përmirësuar përgjigjen e këtyre shteteve ndaj kërcënimeve bërthamore dhe raketore të Koresë së Veriut.
Testimi i armëve nënujore të Koresë së Veriut nuk ka mundur të verifikohet në mënyrë të pavarur.
Ministria e Mbrojtjes së Koresë së Jugut më 19 janar lëshoi një paralajmërim kundër testimeve të fundit të kryera nga Veriu, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të tyre.
“Ushtria jonë është e përgatitur plotësisht për provokimet e Koresë së Veriut nën një qëndrim të përbashkët të mbrojtjes me SHBA-në”, tha ministria përmes një deklarate, duke u zotuar për përgjigje “dërrmuese” nëse Koreja e Veriut bën një provokim të drejtpërdrejtë.
Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Japonisë, Yoko Kamikawa, gjatë një konference për media u pyet për testimin e fundit të Veriut, por ai nuk pranoi të komentonte. Megjithatë, ai u zotua se do të vazhdojnë përpjekjet për të frenuar zhvillimin e armëve të Penianit.
I cilësuar si “Haeil”, që do të thotë cunami, sistemi i ri i dronëve fillimisht ishte raportuar se është testuar në mars të vitit 2023, dhe media shtetërore ka raportuar se ky sistem mund të kryejë sulme tinëzare në ujërat e armiqve dhe të shkatërrojë sulmet detare dhe operacionet e mëdha të nisura nga portet, duke krijuar një valë të madhe radioaktive përmes shpërthimeve nënujore./rel
Ronaldo: Po afrohet fundi i karrierës sime, dua të shijoj çd...
Trafik i rënduar në aksin Tiranë–Elbasan, vonesa dhe vështir...
Irani i dërgon ShBA-së propozimin e fundit në negociatat për...
Shkroi në veturën kosovare “Kosova është Serbi”, dënohet një...
Konjufca përshëndet rezolutën amerikane për anëtarësim në NA...
Osmani reagon pas nismës së kongresmenëve për Kosovën në NAT...