Qytetarët japonezë po votojnë në kushte të vështira atmosferike, ndërsa sondazhet parashikojnë një fitore të thellë për koalicionin qeverisës të kryeministres Sanae Takaichi.
Qytetarë në mbarë Japoninë iu drejtuan qendrave të votimit mes reshjeve të dendura të borës, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të thirrura nga kryeministrja Sanae Takaichi. Sipas sondazheve, koalicioni i saj pritet të sigurojë një shumicë të qartë në Dhomën e Ulët të Parlamentit.
Këto janë zgjedhjet e para të mbajtura në mes të dimrit në Japoni pas 36 vitesh. Takaichi vendosi t’i shpallë ato menjëherë pas fitores në garën për drejtimin e Partisë Liberale Demokratike (LDP), duke synuar të marrë një mandat të fortë nga votuesit.
Sondazhet tregojnë se LDP-ja, në koalicion me Partinë e Inovacionit Japonez, mund të fitojë deri në 300 nga 465 vendet parlamentare, një rikthim i rëndësishëm pas humbjes së shumicës për shkak të skandaleve të korrupsionit dhe krizës së kostos së jetesës.
Takaichi ka fituar popullaritet duke premtuar ulje taksash dhe subvencione, megjithëse kritikët dyshojnë se rritja e shpenzimeve do të ndihmojë një ekonomi që po përballet me ngadalësim dhe me një borxh publik shumë të lartë.
Motit i keq pritet të ndikojë në pjesëmarrjen e votuesve, veçanërisht në rajonet veriore dhe lindore. Votimi i hershëm shënoi rreth 4.6 milionë votues, 2.5% më pak se në zgjedhjet e vitit 2024, rënie që i atribuohet kushteve atmosferike.
Në disa zona, përfshirë prefekturën Niigata, u raportuan reshje të mëdha bore. Autoritetet njoftuan për pezullimin e dhjetëra linjave hekurudhore dhe trageteve, si dhe anulimin e mbi 50 fluturimeve. Reshje të rralla bore u regjistruan edhe në Tokio.
Admiruese e ish-kryeministres britanike Margaret Thatcher, Takaichi njihet për qëndrime të forta nacionaliste dhe për mbështetjen e rritjes së kapaciteteve mbrojtëse të Japonisë. Ajo gëzon mbështetje të lartë, veçanërisht te votuesit e rinj, ndërsa vlerësimet për qeverinë e saj kanë qëndruar mbi 70% që nga tetori.
Megjithatë, analistët paralajmërojnë se popullariteti personal i kryeministres mund të mos mjaftojë për të kompensuar dëmin që i është bërë LDP-së nga skandalet e korrupsionit dhe nga një opozitë më e bashkuar se më parë.
Zgjedhjet konsiderohen një provë e rëndësishme politike për Takaichin, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në politikën e jashtme, ku ajo ka përballur kritika për përkeqësimin e marrëdhënieve me Kinën dhe afrimin e saj të hapur me Shtetet e Bashkuara.
Gjykimi i katërshes së UÇK-së drejt fundit: Cilat janë proce...
Bayerni është i bindur se do ta blindoj me kontratë të re Up...
Rama takon nesër në Bruksel presidentin Costa, në fokus nego...
Gjendet pa shenja jete një person në Gjilan
Policia jep detaje për vdekjen e 43-vjeçarit në vendin e pun...
Arrestohet një person në Prishtinë pasi kanosi zyrtarin poli...