I dërguari i ri i Uashingtonit në Kombet e Bashkuara u zotua se shteti i tij “do të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s”.
Këtë deklaratë ai e bëri më 22 shtator në mbledhjen emergjente lidhur me inkursionin e avionëve luftarakë rusë në hapësirën ajrore të Estonisë.
NATO-ja ngriti në ajër avionët saj pasi tre avionë luftarakë rusë të llojit MiG-31 të premten hynë në hapësirën ajrore të Estonisë dhe qëndruan për 12 minuta, duke shënuar një tjetër provokim të rrezikshëm. Moska ka mohuar se avionët e saj kanë shkelur hapësirën ajrore estoneze.
Estonia, anëtare e NATO-s, e thirri mbledhjen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së “në përgjigje të shkeljes së qartë të hapësirës ajrore estoneze nga Rusia” dhe po ashtu kërkoi bisedime me aleatët e tjerë të NATO-s.
“Siç thamë edhe para nëntë ditësh, SHBA-ja qëndron me aleatët tanë në NATO në dritë të këtyre shkeljeve të hapësirës ajrore. Ne duam që ta shfrytëzojmë këtë moment që të përsërisim, të theksojmë se SHBA-ja dhe aleatët do të mbrojnë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s”, tha ambasadori amerikan në OKB, Michael Waltz.
Ky inkursion erdhi pasi anëtarja tjetër e NATO-s, Polonia, tha më herët gjatë këtij muaji se dronë rusë kishin shkelur hapësirën e saj ajrore teksa po kryenin një sulm në Ukrainë. Varshava e cilësoi këtë “akt të agresionit”.
Presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë fundjavës dënoi shkeljen e fundit të hapësirës ajrore duke u zotua se do të mbrojë Poloninë dhe shtetet e Baltikut në rast të një përshkallëzimi nga Rusia.
I pyetur nëse do të ndihmojë në mbrojtjen e shteteve të Bashkimit Evropian nëse Rusia intensifikon armiqësitë, Trump u tha gazetarëve: “Po, do t’i mbroj”.
Presidenti Trump ka bërë thirrje për paqe dhe i ka kërkuar homologut rus, Vladimir Putin, t’i japë fund luftës në Ukrainë, por Moska nuk ka dhënë sinjale se është e gatshme t’i bindet presionit amerikan.
Trump disa herë është shprehur se është i zhgënjyer me Putinin.
“Në kohën kur presidenti Trump dhe SHBA-ja janë përqendruar dhe kanë shpenzuar shumë kohë e përpjekje që lufta mes Rusisë dhe Ukrainës të marrë fund, ne presim që Rusia të gjejë mënyra për të ulur tensionet e jo të rrezikojë zgjerimin” e luftës, shtoi Waltz në fjalimin e tij të parë para Këshillit.
Përveç Polonisë dhe Estonisë, edhe Rumania më herët gjatë muajit ka raportuar se një dron rus ka shkelur hapësirën e saj ajrore.
Fuqitë perëndimore kanë paralajmëruar se Rusia po luan me zjarr me këto inkursione në hapësirën ajrore të NATO-s, teksa aleanca ka një pakt për mbrojtje kolektive./rel
Rusia vijon përparimin, trupat ukrainase tërhiqen nga qyteti...
Nëse e shihni këtë person, lajmërojeni policinë
Ramush Haradinaj premton ujë të pijshëm dhe energji lokale p...
‘Bomberi’ dardan, Fisnik Asllani futbollisti më ...
Gjiganti anglez tërhiqet nga gara për Semenyon, vazhdon R...
Rrahmani shkëlqen në stinorin vjeshtor tek Sparta, top golas...