Grupi palestinez Hamas – i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – ka liruar tetë pengje nga Rripi i Gazës dhe ia ka dorëzuar Kryqit të Kuq.
Më vonë gjatë ditës, Izraeli pritet të lirojë 110 palestinezë të burgosur. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka vendosur që 110 palestinezët do të lirohen pas “lirimit të sigurt” të pengjeve, pas lirimit të tyre kaotik në Gazë.
Agram Breger, ushtar 20-vjeçar, u lirua i pari në kampin e refugjatëve Xhabalia në veri të Gazës dhe dy orë më pas u liruan dy izraelitë dhe pesë tajlandezë, të cilët iu dorëzuan Kryqit të Kuq në Han Junis.
Ky është lirimi i tretë i pengjeve që kur hyri në fuqi marrëveshja e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit më herët gjatë këtij muaji.
Marrëveshja për armëpushim ka në qendër përfundimin e luftimeve, që nisën më 7 tetor 2023 mes Izraelit dhe Hamasit, dhe lirimin e pengjeve që mbahen nga Hamasi, por edhe qindra palestinezëve të burgosur në Izrael.
Sipas marrëveshjes, qindra mijëra palestinezë po ashtu janë kthyer në veri të Gazës në tre ditët e fundit.
Më 7 tetor 2023, Hamasi sulmoi Izraelin duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 47.000 palestinezë dhe enklava palestineze ka pësuar shkatërrime të mëdha./rel/
Policia e ndjek nëpër mal dhe e kap të dyshuarin që e dogji ...
Grabitje e armatosur në një barnatore në Pejë, dy të dyshuar...
Juventusi interesohet për shërbimet e portierit të klubit të...
Kurti: Kriminelët e mëdhenj serb ose janë në burgun e Dyzit,...
Kurti “punëson” gjyshërit: Nga 100 euro shtesë për ata që ku...
Isak dyshohet se e ka thyer këmbën