Dhuna pas vdekjes së `El Mencho`-s, Meksika mobilizon 9.500 ushtarë

23:15 | 23 Shkurt 2026
E.G

Meksika ka dislokuar mijëra ushtarë shtesë për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës pas vdekjes së një prej krerëve më të fuqishëm të kartelit të drogës në vend.

Sekretari i Mbrojtjes Ricardo Trevilla tha se 2.500 ushtarë janë dërguar në Meksikën perëndimore, duke e çuar në rreth 9.500 numrin e trupave të dislokuara që nga e diela.

Trazirat shpërthyen në rreth 20 shtete pas vdekjes së Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, i cili vdiq në paraburgim pak pasi u arrestua nga forcat speciale në shtetin Jalisco.

El Mencho ishte lider i Karteli i Gjeneratës së Re të Jalisco-s, një nga organizatat më të rrezikshme në vend dhe personi më i kërkuar nga autoritetet meksikane.

Autoritetet thanë se ai u arrestua pasi forcat e sigurisë gjurmuan një person me të cilin kishte lidhje romantike. Gjatë shkëmbimit të zjarrit me truprojat e tij, ai u plagos rëndë dhe vdiq gjatë transportimit nga qyteti Tapalpa drejt Mexico City.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi se u vranë edhe gjashtë roje të tij dhe tre ushtarë u plagosën.

Sekretari i sigurisë Omar García Harfuch deklaroi se një gardian burgu, një prokuror shtetëror dhe rreth 30 anëtarë të kartelit u vranë gjatë trazirave, sipas agjencisë Agence France-Presse.

Presidentja e Meksikës Claudia Sheinbaum vlerësoi operacionin ushtarak dhe tha se prioritet mbetet garantimi i paqes dhe sigurisë në vend.

Pas përhapjes së lajmit për vdekjen e El Mencho-s, anëtarë të kartelit sulmuan qytete ku vepron Karteli i Gjeneratës së Re të Jalisco-s. Në disa zona u bllokuan rrugët dhe u dogjën autobusë e mjete të tjera.

Pamje të verifikuara nga ‘BBC Verify’ tregojnë turistë duke qëndruar në pishina hotelesh, ndërsa një helikopter ushtarak fluturonte ulët mbi zonën e Puerto Vallarta dhe tym dilte nga ndërtesat.

Sipas raportimeve, dhjetëra banka dhe biznese u dëmtuan pasi u dogjën nga anëtarët e kartelit.

Departamenti Amerikan i Shtetit kishte ofruar 15 milionë dollarë shpërblim për informacion që çonte në kapjen e El Mencho-s. Autoritetet meksikane konfirmuan se operacioni u krye nga ushtria, Garda Kombëtare dhe forcat ajrore, ndërsa theksuan se nuk pati përfshirje të forcave amerikane në vrasje. / Burimi: BBC

Të ngjashme