14 infermiere shtatzënë në të njëjtën kohë në një spital në SHBA

14:59 | 23 Maj 2025
E.K

4 infermiere janë shtatzënë në të njëjtën kohë në qendrën e grave dhe foshnjave të spitalit HSHS St. Vincent në Green Bay, Wisconsin të SHBA-së. “Ky është një moment i jashtëzakonshëm me shumë nga infermieret tona që do të bëhen nëna për herë të parë”-tha drejtoresha e qendrës, Amy Bardon, në një deklaratë. Në fotot e shpërndara nga spitali, një pjesë e infermiereve shihen të buzëqeshura ndërsa pozonin dhe mbanin barkun e rrumbullakosur.

Ndërkaq në një mrekulli të rrallë mjekësore, një foshnjë në Britaninë e Madhe “lindi dy herë”. Në javën e 20-të të shtatzënisë, mësuesja Lucy Isaac nga Oksfordi iu nënshtrua një operacioni 5-orësh për heqjen e kancerit të vezoreve, gjatë të cilit kirurgët ia hoqën përkohësisht mitrën, që përmbante djalin e saj. Pas trajtimit të kancerit, Rafferty Isaac u kthye në barkun e nënës dhe u lind me kohë. Bëhet e ditur se Lucy dhe Rafferty vizituan së fundmi Spitalin John Radcliffe disa javë pas operacionit për të falënderuar kirurgun Soleymani Majd.

Duhet të dini se shtatzënia në moshë adoleshente mbetet një fenomen shqetësues në mbarë botën, me pasoja të thella për shëndetin, jetën sociale dhe të ardhmen ekonomike të vajzave të reja. Edhe pse norma globale e lindjeve tek adoleshentet ka shënuar një rënie gjatë viteve të fundit, ndryshimet janë të pabarabarta mes rajoneve dhe brenda vetë vendeve.

Sipas të dhënave të vitit 2019 të OBSH, në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, rreth 21 milionë vajza të moshës 15–19 vjeç mbetën shtatzënë. Gati gjysma e këtyre shtatzënive ishin të padëshiruara, duke çuar në rreth 12 milionë lindje dhe shumë raste të abortit, shpesh të pasigurt dhe të rrezikshëm për jetën e tyre. 55% e shtatzënive të padëshiruara përfunduan me abort./tar