Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa përmes një statusi në Facebook ka hedhur një varg kritikash në drejtim të Qeverisë së Kosovës dhe atyre që po kritikojnë Presidentin e vendit Hashim Thaçi për deklarimet e tij rreth korrigjimit të kufirit me Serbinë.
“Duke lexuar opinione të ndryshme fitohet përshtypja se po bëhet garë se kush po i thotë më shumë e më fort Presidentit se e ka keq me përhapjen kokëfortë të teorive të tij shumë konfuze, por të rrezikshme, për korrigjim të kufirit me Serbinë, si zgjidhje e marrëveshjes përfundimtare”, ka shkruar Mustafa.
Sipas ish-kryeministrit, për veprimet e Thaçit përgjegjës është vetëm Qeveria e Kosovës pasi ajo i dha shansin për një veprim të tillë.
“Qeveria u tërhoq nga obligimi i dialogut (negocimit) që me Kushtetutë dhe vendim të Kuvendit i takon asaj. Në fillim të këtij viti i propozoi Kuvendit një platformë për dialogun Kosovë-Serbi, pa asnjë përmbajtje, veç asaj se, ( sipas Qeverisë) dialogun duhet ta udhëheqë Presidenti i Kosovës. Po të mos ishte kjo sjellje dhe ky veprim i Qeverisë, ne s’do të kishim problem as me Presidentin dhe as me teoritë e tij për korrigjim të madh e të butë të kufijve dhe as me ofertën për shkëmbim të territorit si pasojë përfundimtare e korrigjimit”, shkruan i pari i LDK’së
Mustafa po ashtu u shpreh se si opozitë janë që të arrihet një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, veç se ajo të bëhet duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Për këtë sjellje kjo qeveri është dashur të japë dorëheqje e jo të manovrojë me dialogun si instrument i mbijetesës. Marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të ndodhë bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke pasur parasysh efektet e saj për shtetësinë e Kosovës por edhe për regjionin. Marrëveshja mund të bëhet vetëm me një pajtueshmëri te gjere të forcave politike në Kosovë, me legjitimitet politik e kushtetues, pas zgjedhjeve nacionale”, përfundon Mustafa.
Sa shpenzoi PDK-ja nga tetori në dhjetor, KQZ publikon shifr...
Si i shpenzoi AAK-ja paratë brenda tre muajve
LDK-ja mbi 224 mijë euro shpenzime për tre muaj, 30 mijë vet...
KQZ-ja publikon shpenzimet e subjekteve politike për tremujo...
Rritja e pagave për ushtarakët, Vengu: Synojmë nivelin e NAT...
Dhunë në familje në Malishevë, lëndohen dy policë gjatë arre...