Limaj, i bindur që rezoluta për dialogun e frenon Thaçin

20:15 | 7 Tetor 2018
A Z

Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, po beson se me miratimin në Parlament të Rezolutës për Dialogun mbyllet përfundimisht mundësia që dikush të flasë e negociojë me Serbinë për kufij e territore. Kryenegociatori i propozuar nga Qeveria për dialog me Serbinë thotë se në dokumentin e propozuar është përfshirë edhe kërkesa e opozitës që askush të mos flasë për territore e kufij, raporton T7.
Rezoluta e koalicionit qeveritarë erdhi edhe sot në vëmendje të krerëve shtetërorë.

Homazhet në Marinë të Skenderajt nuk kaluan pa komentet e çështjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, njëherësh edhe zëvendëskryeministër i vendit, Fatmir Limaj, gjatë homazheve të bëra në Drenas dhe në Marinë ka thënë se rezoluta është dokument i nevojshëm për shkak të idesë së presidentit Thaçi.

Sipas Limajt, projektrezoluta po ashtu ka për qëllim të unifikojë faktorin politik në vend sa i përket dialogut me Serbinë.

Ai ka ftuar opozitë dhe pozitë që të votojë këtë dokument të rëndësishëm në Kuvend.

Sipas tij, rezoluta ka objektivave të qarta për fuqizimin e shtetësisë së Kosovës, si njohjen nga Serbia, ulësen në OKB dhe afirmimin ndërkombëtarë.

Ai ka thënë se nëse opozita mendon që duhet ende të fuqizohet rezoluta janë të hapur për këtë.

Liderët e koalicionit qeveritar, të shtunën janë mbledhur në kabinetin e kryeparlamentarit Kadri Veseli. Ata kanë hartuar një Draft-Rezolutë për dialogun me Serbinë.

Në takim ishin prezent kryeministrin Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj dhe Dardan Gashi.

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale