Komuna e Hanit të Elezit nuk ka gjetur mbështetjen sa i përket rehabilitimit të familjeve që janë kthyer nga Siria dhe Iraku në fund të viti 2018, përkundër faktit se kishte kërkuar ndihmë si nga autoritetet vendore ashtu edhe nga ato ndërkombëtare.
Kështu ka thënë gjatë një interviste për lajmi.net, kryetari i kësaj komune Rufki Suma.
Kreu i Hanit të Elezit ka thënë se Komuna ka mbështetur këto familje, siç thotë ai, me aq sa kishte mundësi, por që ka shtuar se Komuna nuk ka mjete financiare vetëm për këtë çështje.
Suma ka folur veçanërisht për tre fëmijët. Ai ka thënë se Drejtori i QPS-së në Han te Elezit vazhdimisht është duke u marr me këtë problematik dhe i viziton fëmijët te gjyshërit e vet në fshatin Gorancë.
Tutje ai ka treguar se këta fëmijë janë pa dokumentacion dhe nuk janë të regjistruar në librin amëz. Fëmijët marrin nga 100 euro ndihmë nga MMPS-ja.
Gjatë kësaj interviste, Suma ka folur edhe për projektet që janë realizuar dhe ato që pritet të jetësohen në këtë Komunë.
Mungesën e ujit të pijshëm si dhe raportet me nivelin qendror.
Intervista e plotë:
Lajmi.net: Patët ngritur padi kundër Serbisë për krime lufte të kryera në komunën e Hanit të Elezit. Çfarë ka ndodhur me këtë padi?
Suma: Në janar të vitit 2012, komuna e Hanit të Elezit ka dorëzuar kallëzim Penal kundër ish pushtetit serb për krimet e bëra në territorin e komunës së Hanit te Elezit nga viti 1989 deri më 12 qershor e vitit 1999. Kallëzimi Penal i është dorëzuar kryeprokurorit të shtetit të Kosovës dhe përmes tij edhe Prokurorisë Speciale të EULEX-it.
Lidhur me këtë në vitin 2018 nga zyrtar hetues të Policisë së Kosovës për Krime të Rënda jemi njoftuar se Padia i është përcjellur nga ndërkombëtaret tek vendorët dhe se këta janë duke u marrë me këtë çështje, por fillimisht janë duke u trajtuar dyshimet për dhunimet seksuale. Informata më të hollësishme nuk kemi.
Lajmi.net: Gjatë vitit të kaluar shumë familje janë rikthyer nga luftërat e huaja si nga Siria e Iraku, si po trajtohen këto familje dhe a kanë gjetur mbështetjen e Komunës?
Suma: Komuna lidhur me këto çështje ka biseduar vazhdimisht me organizata të shumta si vendore ashtu edhe ndërkombëtare ku gati të gjitha kanë premtuar mbështetje për këto kategori, por shumë pak apo gati aspak nuk ka pasur mbështetje. Komuna ka mbështetur me mundësit e veta ndonjë person, por nuk ka mjete financiare vetëm për këtë çështje
Lajmi.net: Problemet më të mëdha janë evidentuar në trajtimin e tre fëmijëve të rikthyer nga Siria, çfarë ka ndodhur me ta?
Suma: Drejtori i QPS-së në Han të Elezit vazhdimisht është duke u marr me këtë problematikë vazhdimisht ku viziton fëmijët të gjyshërit e vet në fshatin Gorancë. Meqenëse fëmijët janë pa dokumentacione, të paregjistruar në librin amëz, drejtori i QPS-së është në kontakte të rregullta me MPB dhe institucionet tjera për regjistrimin e tyre. Këta fëmijë janë të vendosur në strehim familjar të gjyshërit dhe marrin nga 100 euro në muaj për çdo fëmijë nga MPMS. Çdo javë këta fëmijë vizitohen nga drejtori i QPS-së dhe psikologu sepse janë në trajtim psiko-social.
Lajmi.net: Jeni udhëtar i rregullt i ritualit të shenjtë në Haxh, a mendoni se i keni lënë në gjysmë punët e komunës gjatë qëndrimit tuaj atje dhe po ashtu me çfarë financash keni udhëtuar deri më tani?
Suma: Nuk jam i rregullt sepse në jetën time dy herë kam qenë në kryerje të Haxhit dhe atë një herë ne vitin 2012 i dërguar nga ana e Bashkësisë Islame e Kosovës, dhe vitin 2018 kam shkuar me bashkëshorten time ku unë kam kryer obligimet për nënën time me mjete financiare vetanake, pas shpronësimit të një prone nga ana e Qeverisë, shpronësim i cili është bërë për ndërtimin e autostradës Hani i Elezit- Prishtinë. Punët aspak nuk kanë mbetur në gjysmë sepse kam patur zëvendësin tim në detyrë dhe unë kam shfrytëzuar të drejtën e pushimit vjetor që i takon çdo punëtori.
Lajmi.net: Duke qenë kryetar i pavarur, si i keni pasur raportet me qeveritë e kaluara dhe si i keni me aktualen? Sa ju mbështesin projektet tuaja?
Suma: Me të gjitha qeveritë kemi pasur raporte të mira. Në të gjitha qeveritë kemi pasur mbështetje në realizimin e projekteve.
Lajmi.net: Cilat janë raportet tuaja me përfaqësuesitë e partive tjera në Han të Elezit?
Suma: Me të gjitha partitë politike kemi raporte të mira. Opozita si zakonisht luan rolin e opozitës, por nuk kemi raporte armiqësore me askënd.
Lajmi.net: Çfarë ka ndodhur me rregullimin e shtratit të lumit Lepenc, projekt që ishte financuar nga MMPH-ja, pse nuk është përfunduar?
Suma: Këtë përgjigje është dashur ta merrni në MMPH sepse ata ishin bartës dhe financues të këtij projekti i cili kushtoi më shumë se 1 milion e 300,000 euro.
Ky projekt ka qenë i financuar dhe i kontrolluar nga ana e MMPH-së ku komuna asnjëherë nuk ka qenë e kënaqur me realizimin e këtij projekti. Vazhdimisht i kemi dhënë vërejtjet tona sepse jo vetëm që nuk është realizuar objektivi i këtij projekti-largimi i asbestit por përkundrazi me realizimin e këtij projekti është dëmtuar në tersi stadioni (fusha e futbollit) është dëmtuar rruga, kanalizimi etj. Kemi kërkuar vazhdimisht që të vazhdohet me këtë projekt ose të riparohen dëmet duke filluar nga rregullimi i fushës se futbollit, rregullimi i trotuarit dhe shtrati i lumit Lepencë, por në vitin 2018 krejt çka është financuar nga MMPH-ja ka qenë transferimi i 50,000 euro në komunën e Hanit të Elezit për ta filluar fushën e futbollit, mjete që nuk mjaftojnë as për fillimin e punimeve e të mos flasim për përfundimin e tij, ku nevojiten edhe shumë e madhe e parave për të realizuar edhe pjesën tjetër të projektit-rregullimi i shtratit të lumit Lepencë dhe trotuari përgjatë tij.
Lajmi.net: Qytetarët e komunës tuaj, vazhdojnë të përballën me mungesën e ujit. Pse nuk është zgjidhur ende kjo çështje?
Suma: Nga viti 2010 kur është përuruar fabrika për trajtimin e ujit të pijes në prrockën e fshatit Dimcë deri në vitin 2019 vazhdimisht kemi kërkuar nga instancat e nivelit qendror që të trajtohet uji i pijes në Han të Elezit nga kompania përgjegjëse e ujit “KRU Bifurkacioni”. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri në vitin 2019. Edhe pas përurimit të fabrikës që ka kushtuar rreth 500,000 euro komuna nuk ka pasur kompetencë në menaxhimin e saj. Pas shumë kërkesave dhe paralajmërimeve se nëse nuk menaxhohet uji nga kompanitë përgjegjëse, ketë do ta bëjë vet komuna, një gjë e tillë nuk ndodhi. Kjo papërgjegjësi e institucioneve përgjegjëse bëri që komuna të themeloj një kompani publike lokale për menaxhim të ujit dhe mbeturinave, por menjëherë ndodhi reagimi i ZRRUM-it dhe Qeverisë së Kosovës ku i kërkohej komunës ta shfuqizoj këtë vendim ose do të gjobitet, me arsyetim se kjo çështje do të trajtohet nga institucionet përgjegjëse. Komuna veproi sipas vendimeve të institucioneve shtetërore dhe nënshkroi disa herë marrëveshja me “KRU Bifurkacioni” , por nga ajo kohë deri në vitin 2018 nuk u ndërmor asnjë veprim serioz. Në vitin 2017- 2018 pas shumë takimeve dhe përpjekjeve mes “KRU Bifurkacioni”, Zyrës së Kryeministrit dhe CDI-së zvicerane u funksionalizuar zyra e “KRU Bifurkacioni” në Han të Elezit e cila edhe ka filluar punën në këtë drejtim, por tani për tani menaxhohet me një pjesë te sistemit të ujit që vie nga burimi i Glloboqicës sepse ende CDI-ja zvicerane nuk e ka bërë rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit dhe fabrikës për trajtimin e ujit në prrockën e Dimcës ashtu siç është e nënshkruar ne marrëveshjen trepalëshe (“KRU Bifurkacioni”-komuna-CDI-ja). Pra tani kjo problematik ka kaluar në kompani regjionale dhe është duke punuar por vetëm pritet që CDI-ja ti kryej edhe punët që i ka marr sipas marrëveshjes. Në lidhje me zgjidhjen e problemit të ujit komuna e Hanit të Elezit nga buxheti i vet vetëm në vitin 2018 ka shpenzuar mbi 60,000 euro për rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit, ndërsa çdo vit tjetër me mjete të veta financiare është kujdesur ne riparimin e defekteve ne rrjetin e ujësjellësit. Gjithashtu komuna ka siguruar zyrën dhe pajisjet tjera të nevojshme për zyre (inventarin), ka bërë hulumtime në gjetjen e burimeve tjera të ujit përmes shpimit, e gjithashtu zotohet se çdo vit do të ndërmerr veprime të nevojshme për zgjidhjen definitive të problemit të ujit për Hanin e Elezit.
Lajmi.net: Keni premtuar përkrahje dhe ofrim të ndihmës për gjitha kategoritë sociale, çfarë keni bërë në këtë drejtim?
Suma: Për çdo vit përmes projekteve sezonale të MPMS-së punësohen disa persona që i përkasin kategorive sociale. Shumica e personave me gjendje të vështirë marrin ndihma sociale sipas skemës sociale të MPMS-së, të gjithë fëmijët jetim janë të futur në listat e organizatave të ndryshme humanitare ku pos ndihmave të ndryshme si ushqimore, veshmbathje, marrin edhe mjete financiare. Disa familje me skemë sociale janë përkrahur edhe me gjëra ushqimore si nga komuna ashtu edhe nga organizata të ndryshme humanitare. Në këto 3 mandate mbi 20 shtëpi janë ndërtuar për familjet me nevojë nga ana e bizneseve lokale, organizatave të ndryshme dhe të përkrahura edhe nga komuna. Këtë vit, pra vitin 2019 ka filluar edhe ndërtimi i 5 shtëpive tjera nga shoqata “Jetimat e Ballkanit” ku edhe komuna participon me një shumë simbolike prej 1000 euro për çdo shtëpi, komuna çdo vit subvencionon fermerët në fusha te ndryshme, komuna gati çdo vit ka participuar në hapjen e bizneseve të reja të vogla me organizata tjera….
Lajmi.net: Sa ka arritur t’u dalë në ndihmë komuna e Hanit të Elezit familjeve të dëshmorëve?
Suma: Komuna vazhdimisht përkrahë dhe mbështet familjet e Dëshmorëve në çdo aspekt. Ka ndërtuar me ndihmën e donatorëve shtëpi për ata familje që kanë pasur nevojë, ka përkrahur me pensione familjet e dëshmorëve të rënë në Maqedoni deri sa nuk janë trajtuar nga ana e shtetit, për çdo vit dërgon në rehabilitim ne Banjë nga një anëtarë të familjeve të dëshmorëve, gjithashtu edhe në pushime në deti dërgon vazhdimisht në bashkëpunim me shoqatën e nivelit qendror, prioritete në punësim, bursa studentore, vizita të rregullta në familje të tyre, çdo vit investohet në riparimin e kompleksit të varrezave të dëshmorëve, mirëmbajtje të rregullt të varrezave të dëshmorëve…
Lajmi.net: A pretendoni edhe një mandat të katërt në krye të Hanit të Elezit?
Suma: Motoja ime gjithmonë ka qenë, është dhe do të jetë “Gjithnjë në shërbim të popullit”. Unë vazhdimisht kam punuar në bazë të kërkesave të qytetarëve sepse çka do që është kërkuar nga ana ime dhe që ka qenë në kompetencën time kam kryer. Me dëshirën time nuk kisha kandiduar asnjëherë dhe nuk jam i interesuar të kandidojë.
Brukseli i bën sërish thirrje Serbisë të hetojë pretendimet ...
Khamenei i drejtohet Trumpit: Je kriminel, përgjegjës për vd...
Profesionistët shëndetësorë të Kosovës drejt emigrimit: Paga...
Gjenerali amerikan: Mbështesim FSK-në drejt një force të mbr...
Taulant Xhaka: Kisha vdekur për fanellën kuqezi
Ushtarët e KFOR-it kryejnë ushtrime taktike luftarake në Kos...