Presidenti serb Tomislav Nikoliç do t’i japë një medalje të profilit të lartë shefit të ushtrisë Ljubisa Dikoviç, i akuzuar së fundmi si përgjegjës për krime lufte në Kosovë në vitin 1999.
Vendimi për t’i dhënë Dikovicit Urdhrin e nderit “Shqiponja e Bardhë” si pjesë e festimeve për të shënuar Ditën e Shtetit të Serbisë më 15 shkurt, është kritikuar si i papërshtatshëm dhe si një dredhi politike për të kundërshtuar akuzat e fundit nga Qendra për të Drejtën Humanitare me bazë në Beograd, se ai ka mbikëqyrur krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Dragan Popovic nga “Policy Center” tha se nderimi i Dikovicit përcillte “një mesazh shumë të keq”.
“Dokumentet e QNH-së pa dyshim tregojnë se ekziston një dyshim i arsyeshëm se njësitë nën komandën e tij kanë kryer krime lufte,” tha Popovic për BIRN ditën e hënë.
“Është shumë e rrezikshme që një njeri i tillë është kreu i Ushtrisë Serbe, pa përmendur pastaj faktin që merr çmime,” shtoi ai.
Misa Vasiç, një gazetar nga e përjavshmja “Vreme”, sugjeroi se kjo ishte një lëvizje politike në një kohë kur Dikovici po përballet me akuza të rënda.
“Nikoliçi zgjodhi vërtet çastin e duhur,” tha Vasiç për BIRN, edhe pse ai shtoi se akuzat për krime lufte nuk janë vërtetuar.
“Ndoshta Dikoviçi nuk është fajtor. Kjo mbetet ende për t’u parë,” tha ai.
Roli i Dikovicit në luftën e vitit 1999 në Kosovë doli në dritë pasi Qendra për të Drejtën Humanitare me bazë në Beograd publikoi një raport ku aludohet se Dikovic, si komandant i Brigadës së 37-të të Ushtrisë Jugosllave, ishte përgjegjës për sulmet në katër fshatra në zonën e Drenicës në Kosovë midis 5 prillit dhe 27 majit 1999, në të cilin vdiqën të paktën 69 shqiptarë të Kosovës.
Raporti thoshte gjithashtu se Brigada e 37-të ishte përgjegjëse për largimin e mëvonshëm të trupave nga fshatrat e Rezala, Staro Cikitovo, Donji Zabelj dhe Gladno Selo në përpjekje për të mbuluar krimin. Trupat u gjetën verën e kaluar në një varr masiv pranë gurëthyesit të Rudnicës, pranë qytetit të Rashkës, në afërsi të kufirit me Kosovën.
Dikoviç, si dhe Ministri serb i Mbrojtjes Bratislav Gasic, i kanë mohuar me ngulm akuzat.
Kjo nuk është hera e parë që QDH-ja ngre shqetësime në lidhje me përfshirjen e Dikoviçit në krime lufte në Kosovë. Në vitin 2012, ajo tha se Dikoviçi kishte qenë i përfshirë në krime lufte në fshatra të tjerë të Kosovës, por zyra serb për krimet e luftës i hodhi poshtë akuzat.
Urdhri i Shqiponjës së Bardhë jepet për kontribute të jashtëzakonshme në ndërtimin ose komandimin e ushtrisë./kallxo.com/
Arben Gashi i LDK-së: LVV të gjejë konsensusin brenda Kuvend...
Vitia: Nuk e ndryshojmë kandidatin për kryeparlamentar
President i Iranit: Trumpi flet për paqen teksa kërcënon në ...
Milani harton katër opsione transferimi në rast të largimit ...
Macron: Udhërrëfyesi është shumë i qartë. Uroj të rifillojmë...
Rama flet me Macronin për përfshirjen e Francës në ndërtimin...