Gjermania kërcënon me padi presidentin amerikan

12:14 | 17 Mars 2017
Arbresh.info

Ministrja gjermane e Ekonomisë, Brigitte Zypries kërcënoi sot me depozitimin e një padie nga vendi i saj në OBT në rastin kur presidenti amerikan do të konkretizojë projektin e taksës fiskale për importet.

“Shpresoj që arsyeja të paraprijë, por po përgatitem gjithashtu për gjykatë në rast se do të jetë e nevojshme”, deklaroi Brigitte Zypries për radion publike gjermane, në të njëjtën ditë kur ministrat e Financave të vendeve të G20-s do të mblidhen në Gjermani në kuadër të tensioneve për çështjet tregtare.

“Ajo që dua të them është që nuk do të jetë hera e parë që Trump do të dështojë para gjykatave”, theksoi me ironi ministrja social-demokrate duke iu referuar dështimee në drejtësi të Donald Trump për kalimin e dekretit migrator që ndalon hyrjen në SHBA të shtetasve të vendeve myslimane.

Administrata e re amerikane, që zgjodhi një fjalim shumë proteksionist, parashikon një formë të taksës fiskale doganore mbi importet të quajtur “border adjustment tax” prej rreth 20 për qind.

Një masë e tillë do të rrezikonte thyerjen e rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), ku bën pjesë dhe SHBA-ja.

Gjermania, një pjesë vendeve më të mëdha eksportuese në botë, i trembet veçanërisht kërcënimeve proteksioniste të administratës Trump dhe çështja do të jetë në axhendën e diskutimeve të parashikuara në SHBA mes kancelares Angela Merkel dhe presidentit amerikan.

Shpërndaje në rrjete sociale