“Kumanova” mund të lëkund raportet në mes Kosovës dhe Maqedonisë

08:25 | 16 Maj 2015
Arbresh.info

Situata e fundit në Kumanovë mund të lëkund raportet në mes të Kosovës dhe Maqedonisë, sado që zyrtarë kosovarë për dallim nga ata maqedonas kanë tentuar të jenë sa më neutral në tërë këtë situatë. Gjë e cila nuk ka ndodhur edhe me zyrtarë maqedonas të cilët i kanë quajtur terroristë pjesëmarrësit e grupit në Maqedoni, një numër i së cilëve tashmë i konfirmuar ishte nga Kosova.

Kështu vlerëson shoqëria civile në vend, sipas të cilëve të dyja vendet duhet të kenë kujdes në mënyrën se si sillen në këtë situatë, e që pastaj të mos ketë acarim tëmarrëdhënieve dy paleshe.

Petrit Zogaj nga Lëvizja “Fol”, ka deklaruar se e tërë ajo që po ndodh në Maqedoni është si pasojë e një sistemi diktatorial të qeverisjes, dhe situata është dashur të plas diku. Zogaj vlerëson se ajo çfarë ka ndodhur në Maqedoni nuk e prek vetëm Kosovës por edhe tërë rajonin. Për Zogajn, Kosova duhet të ketë kujdes që përkundër kësaj që ka ndodhur të ketë raporte normale me Maqedonin, ani pse kjo e fundit ka bërë disa deklarata të rënda për pjesëmarrësit e konfliktit në Kumanovë.

Situata e krijuar së fundmi nuk do të duhej të ndikojë në ftohjen e raporteve mes dy vendeve, mirëpo për drejtorin e FOL, ka tendenca që të ketë acarim të marrëdhënieve.

Ndërsa, Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike ka thënë se ngjarja e fundit në Kumanovë do të ketë ndikime relativisht substancial në marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Maqedonisë, por kjo varet kryesisht nga ajo nëse Qeveria Gruevski do të vazhdoj të jetë në pushtet.

E për Driton Selmanaj nga KDI, sa më shpejtë që të ketë qartësim të situatës, aq më e lehtë do të jetë edhe mos cenimi i marrëdhënieve të mira në mes të dyja vendeve.
Sipas tij, pjesëmarrja individuale e qytetarëve të Kosovës në tërë atë që ndodhi në Kumanovë, nuk i bartin përgjegjësi shtetit të Kosovës në asnjë dimension.

Shpërndaje në rrjete sociale