Prokuroria: Grupi i serbëve planifikonte sulme terroriste në Mal të Zi

14:44 | 21 Tetor 2016
M. A.

Kryeprokurori Special Milivoje Katniq ka theksuar se zyra e prokurorit special në Mal të Zi kishte prova se një grup i krimit të organizuar ishte duke planifikuar për të kryer veprime terroriste në Mal të Zi me datën 16 tetor, ditën e zgjedhjeve.

“Ata kishin për qëllim të sulmojnë njerëzit para Kuvendit dhe të hyjnë në institucion të maskuar me uniforma të një njësie speciale të Policisë për të paraqitur rastin sikur policia qëlloi mbi qytetarët e mbledhur”, ka thënë Katniq.

Sipas tij, ky grup terrorist kishte për qëllim derdhjen e gjakut të pafajshëm të qytetarëve dhe në një moment të caktuar, të shtijë kundër qytetarëve dhe kjo, sipas planit, do të nxiste trazira të përmasave të mëdha.

Ai ka shtuar se lista e të dyshimtëve nuk është përfundimtare, ndërsa ka theksuar se Prokuroria Speciale është në njohuri për grupin kriminal nga Danilovgradi që ka dashur ta ndihmonte grupin nga Serbia./

Shpërndaje në rrjete sociale