Kohën e fundit kemi dëgjuar raste nga më të ndryshmet për dhunën në përgjithësi e sidomos dhunën tek të miturit. Rasti i fundit ishte në komunën e Rahovecit ku një vajzë e mitur 16 vjeçare u rrah nga xhaxhai i saj deri në alivanosje për shkak të disa mungesave që bënte në shkollë. Deklarata të ndryshme dolën nga nëna e saj, pastaj nga vetë kryesi i këtij akti e po ashtu edhe nga organet kompetente siç është policia të cilët kishin thënë se disa shuplaka që i janë dhënë vajzës nuk janë asgjë. Nga këto deklarata reaguan edhe shoqata e organizata joqeveritare të cilët organizuan një protestë me thirrjet që dhuna nuk arsyetohet për asgjë, mirëpo as kjo protestë sikurse edhe shumë tjera e po ashtu edhe aktivitete të ndryshme që janë mbajtur me moton ‘Kundër Dhunës’ duket se nuk kanë pasur efektin e duhur për shkak se numri i rasteve të dhunës ndaj të miturve duket se nuk është edhe aq i ulët.
Sipas statistikave të Policisë së Kosovës dërguar portalit Arbresh.info rastet e dhunës ndaj të miturve të paraqitura në shkolla dhe në afërsi të tyre vetëm për periudhën Janar-Qershor të këtij viti janë 292 raste.
Në rastet e dhunës ndaj të miturve në përgjigjen e zyrtarëve policor thuhet se Policia përmes Drejtorisë së Policisë në Bashkësi dhe Preventivë respektivisht Sektorit për Parandalimin e Krimit dhe Delikuencës së të Miturve vazhdimisht harton projekte dhe kampanja vetëdijesese ku sipas zyrtarëve policor këto kanë qëllim të parandalimit të sjelljeve të dhunshme dhe delikuente në shkolla, ngritjen e vetëdijes së prindërve, mësimdhënësve dhe nxënësve rreth formave të ndryshme të dhunës të cilat mund të shfaqen ndërmjet bashkëmoshatarëve.
“Ne kemi një bashkëpunim aktiv edhe me menaxhmentin e shkollave për t’u njoftuar lidhur me zhvillimet dhe ndërmarrjen e hapave të nevojshëm për reduktimin e rasteve të shfaqjes së dhunës në shkolla dhe rreth tyre dhe zhvillohen edhe takime të shpeshta në këtë kontekst”, thuhet në përgjigjen e PK-së.

Mirëpo sa janë shqetësuese këto shifra të rasteve ndaj të miturve po aq shqetësuese janë edhe rastet e dhunës në familje ku vetëm në gjashtëmujorin e këtij viti në të gjitha rajonet e Kosovës kanë ndodhur 509 raste.
“Në kuadër të PK-ës si ne nivelin qendror, dhe ne nivel lokal ( drejtori rajonale dhe stacione policore) ekzistojnë zyrtaret policor të cilët merrem vetëm me raste të dhunës ne familje dhe te njëjtit kanë trajnime e nevojshme për qasje të duhur dhe hetimin e rasteve te tilla. Veprimtaria e Policisë kundër kësaj dukurie negative në shoqëri (dhunës familjare) është e përqendruar në dy drejtime: në parandalim (preventivë) dhe në luftimin e dhunës familjare dhe trajtimin, mbrojtje dhe përkrahje dhe strehim të viktimave”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim në policinë e Kosovës.

Sipas Policisë së Kosovës për të arritur në parandalimin e dhunës në familja ata kanë arritur të bashkëpunojnë ngushtë edhe me institucione dhe organizata qeveritare dhe jo qeveritare vendore dhe ndërkombëtare.
“Kemi bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Ministrinë për Mirëqenie Sociale, Njësinë për përkrahje dhe ndihmë viktimave (Departamenti i Drejtësisë), Qendrat për punë sociale, Organizata të ndryshme jo qeveritare (vendore dhe ndërkombëtare) që përkujdesen për të drejtat e grave dhe fëmijëve, OSBE-në, UNICEF-in etj., Mediat si ato të shkruara dhe ato elektronike, me fjalë tjera me të gjithë subjektet që kanë ndikim në krijimin e opinionit në shoqërinë. Pra me të gjithë subjektet e cekur më lartë mbahen kontakte të vazhdueshme ku edhe organizohen takime, seminare dhe hartohen projekte të përbashkët me qellim të sensibilizimit dhe vetëdijesimit të opinionit për dhunën familjare”, thekson Policia.
Po ashtu sipas PK-së personeli i Policisë përgjigjet në të gjitha rasteve të Dhunës Familjare të raportuare duke ju dhënë prioritet këtyre rasteve dhe ndër veprimet kryesore që ndërmarrin është ndihma dhe përkrahja e nevojshme viktimave të Dhunës Familjare duhet bashkëpunuar ngushtë me disa subjekt.
“Për këtë bashkëpunojmë me Njësia për Mbrojtje dhe Përkrahje të Viktimave-Departamenti i Drejtësisë, -Qendrat për Punë Sociale (QPS), Qendrat Mjekësore,-Shoqata të ndryshme jo qeveritare që ofrojnë strehim etj”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Ndër të tjera Policia ka treguar se arrestimi i personave të dyshuar bëhet çdo herë kur ka baza ligjore.
“Njëkohësisht punohet në mbledhjen e fakteve dhe dëshmive lidhur me veprën penale në mënyrë që i dyshuari ta marrë dënimin e merituar nga Gjykata kompetente”, shkruan në përgjigjet e PK-së.
Në anën tjetër sociologu Labinot Kunushevci për portalin Arbresh.info ka thënë se dhuna nuk njeh kohë, si e tillë është kundër të drejtave dhe lirive të njeriut. Sipas tij dhuna vetëm mund të sofistikohet, ashtu si edhe kontrolli, disiplina etj.
“Jetojmë me një shoqëri me efekte traumatike nga lufta, në tranzicion, dinamikë, me plot probleme ekonomike e sociale, stres, frustrim, pasiguri, ku edhe kuptimi për dashurinë dhe familjen po ndryshon dhe lidhjet po shndërrohen në objekte konsumi. Jo më ”derisa vdekja të na ndajë”, por ”derisa kënaqësia të na përfundojë” – paradigma e re e familjes (post)moderne”, ka thënë ai.
Sipas tij në rritjen e dhunës ndikojnë edhe disa gjëra e për këtë do të duhej të bëheshin edhe më shumë kampanja për vetëdijësim.
“Po ashtu ndikon edhe hezitimi për konsultime, këshillime sociale, reagime në rast të dhunës (frika nga pasojat) dhe kështu proceset e dhunës ndodhin. Mendoj që zhvillimi i kapmanjave publike, mediale, do të ndikonte në vetëdijesimin e atyre që kanë prirje për dhunë, e atyre që janë viktima (sidomos femra dhe të mitur) për të reaguar dhe e shtetit për shtrirje më të gjerë të kontrollit”, ka thënë Konushevci. V.Berisha/Arbresh.info
Sinani uron Kurtin: Presheva do të jetë kontribuese aktive n...
Kallas: Formimi i qeverisë së re të Kosovës është një lajm i...
Lulzim Hetemi uron Albin Kurtin për rizgjedhjen kryeministër
Cikloni vret 20 persona në Madagaskar
Komisionerja Marta Kos përshëndet formimin e qeverisë së re ...
Ambasada e Gjermanisë uron Kurtin për rizgjedhjen kryeminist...