Rritja e numrit të grave në Kuvend demokratizon jetën politike

08:55 | 7 Tetor 2016
M. A.

“Kuvendi i Kosovës nuk ka shfaqur vetëdijesim të plotë për rëndësinë e gjinorizimit të proceseve politike. Rrjedhimisht, elementet patriarkale s’janë anashkaluar as nga institucioni më i rëndësishëm në vend. Në këto rrethana është e vështirë për gratë politikane të fuqizohen maksimalisht në politikën vendimmarrëse pasi ato pengohen nga kufizimet e shumta partiake”, ka deklaruar Luljeta Demolli

Deputetet e Kuvendit të Kosovës, njohës të çështjeve politike e përfaqësues të organizatave për gra mendojnë se kuota gjinore në legjislativin e vendit duhet të rritet. Mirëpo kjo rritje, sipas tyre, duhet të jetë kualitative e jo kuantitative. Pjesëmarrja e grave në Kuvendin e Kosovës është e garantuar me Ligjin për Zgjedhje të Përgjithshme. Në Nenin 27 të këtij ligji parashihet që lista e kandidatëve të secilit subjekt politik të ketë së paku 30 për qind të kandidateve gra.

Drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli,  vlerëson se rritja e numrit të grave në Kuvend, duke u bazuar në kompetencat e tyre profesionale, do të ndihmonte thellësisht në demokratizimin e mëtejmë të jetës politike.

“Kuvendi i Kosovës nuk ka shfaqur vetëdijesim të plotë për rëndësinë e gjinorizimit të proceseve politike. Rrjedhimisht, elementet patriarkale s’janë anashkaluar as nga institucioni më i rëndësishëm në vend. Në këto rrethana është e vështirë për gratë politikane që të fuqizohen maksimalisht në politikën vendimmarrëse pasi ato pengohen nga kufizimet e shumta partiake”, ka deklaruar Demolli.

Performancën e shumicës së grave deputete në Kuvendin e Kosovës Demolli e vlerëson me notë pozitive, duke marrë parasysh pengesat e shumta me të cilat ballafaqohen ato.

Shpërndaje në rrjete sociale